E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Nafta luhatet ndërsa Trump vendos afat për marrëveshje me Iranin

LONDËR, 7 prill /ATSH/ – Çmimet globale të naftës po luhaten ndjeshëm përpara afatit të vendosur nga Donald Trump për një marrëveshje me Iranin mbi hapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas BBC.

Nafta Brent u rrit mbi 111 dollarë për fuçi në fillim të tregtimit, më pas ra nën 108 dollarë dhe u rikthye rreth 110 dollarë.

Kjo pasiguri reflekton frikën e tregjeve se një marrëveshje mund të mos arrihet dhe konflikti të zgjasë.

Tensionet janë rritur pasi SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit që nga fundi i shkurtit, ndërsa Teherani ka kërcënuar të sulmojë anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Kjo rrugë është jetike, pasi rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalon përmes saj. Si pasojë, dërgesat janë ndërprerë dhe tregjet janë bërë shumë të paqëndrueshme.

Në të njëjtën kohë, tregjet financiare reaguan negativisht ndaj retorikës së ashpër.

Indekset kryesore amerikane ranë lehtë, ndërsa investitorët përpiqen të kuptojnë nëse SHBA-ja kërkon vërtet një marrëveshje apo po përgatitet për një përshkallëzim më të madh ushtarak.

Analistët theksojnë se edhe nëse arrihet paqe, rikthimi i furnizimeve normale do të marrë kohë.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe në rast të një marrëveshjeje, efektet ekonomike nuk do të ndihen menjëherë. Rrjedhat e naftës dhe gazit do të rifillojnë gradualisht, ndërsa disa impiante energjetike kërkojnë muaj për t’u rikthyer në funksion.

Ndërkohë, kostot e sigurimit për anijet janë rritur ndjeshëm, duke e bërë transportin më të shtrenjtë.

Situata ka shtuar shqetësimet për inflacion global, pasi rritja e çmimeve të energjisë ndikon në transport, ushqime dhe ekonomi në përgjithësi. Vendet aziatike si Japonia dhe Koreja e Jugut janë ndër më të goditurat për shkak të varësisë së tyre nga energjia e Lindjes së Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po shqyrton masa për të siguruar këtë korridor jetik pas konfliktit./   /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›