E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Netanyahu kritikon Starmerin për deklaratën se BM do ta njohë Palestinën nëse lufta nuk mbaron

LONDËR, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer po shpërblen “terrorizmin monstruoz të Hamasit” duke njoftuar se do ta njohë një shtet palestinez nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund krizës në Gaza, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ai paralajmëron Starmerin kundër këtij veprimi, të cilin kryeministri britanik tha se mund të ndodhë në shtator.

Starmer thirri kabinetin nga pushimet verore për të diskutuar hapat për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti “situatë e tmerrshme në Gaza”, ku një vlerësim i OKB-së ka paralajmëruar se popullsia po përballet me një uri në rritje.

Starmer foli me Netanyahun përpara se të bënte njoftimin, ku ai paralajmëroi gjithashtu se një zgjidhje me dy shtete për konfliktin në Lindjen e Mesme “ndihet më larg sot sesa ka qenë për shumë, shumë vite”.

Netanyahu nuk u përmbajt në kritikat e tij ndaj njoftimit të Starmer, duke shkruar në faqen e medias sociale X se “Starmer shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit dhe ndëshkon viktimat e tij”.

“Një shtet xhihadist në kufirin e Izraelit sot do të kërcënojë BM nesër’’, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Starmer këmbënguli që Hamasi duhet të lirojë menjëherë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, të nënshkruajë një armëpushim, të çarmatoset dhe “të pranojë se nuk do të luajë asnjë rol në qeverinë e Gazës”./ /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›