E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Nga uraniumi te raketat balistike, zbulohet plani pesëpikësh për bisedimet Iran-SHBA

DOHA, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Ndërmjetësit nga Katari, Turqia dhe Egjipti i kanë paraqitur Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një marrëveshje kornizë me parimet kryesore, që do të diskutohen në bisedimet e së premtes, më 6 shkurt, në Oman, sipas “Al Jazeera”.

Pika e parë: Teherani duhet të angazhohet të mos pasurojë uranium për tre vjet dhe më pas ta kufizojë pasurimin në më pak se 1,5%.

Pika e dytë: Rezervat aktuale, përfshirë rreth 440 kilogram uranium të pasuruar në 60%, do të transferohen në një vend të tretë.

Pika e tretë: Teherani nuk duhet të transferojë më armë dhe teknologji te përfaqësuesit e tij, milicitë shiite në rajon.

Pika e katërt: Angazhim për të mos përdorur i pari raketat balistike (SHBA-ja, në vend të kësaj, kërkon që Irani të reduktojë arsenalin e tij).

Pika e pestë dhe e fundit e propozimit: Arritja e një marrëveshjeje mosagresioni mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Por cilat janë pritshmëritë për këto bisedime?

Iranianët nuk kanë shumë shpresë për bisedimet e nesërme.

Ministri i jashtëm i Egjiptit tha se është thelbësore që Irani dhe SHBA-ja të arrijnë një zgjidhje paqësore dhe koherente, ndërsa përpjekjet intensive diplomatike vazhdojnë në rajon përpara diskutimeve në Oman.

Segmenti detar i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se ka sekuestruar dy anije që transportonin karburant kontrabandë pranë ishullit Farsi në Gjirin Persik.

Një zyrtar kinez ka shprehur mbështetje për të drejtën legjitime të Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore – duke shtuar se Pekini kundërshton kërcënimin me forcë dhe presionin e sanksioneve.

Irani do të marrë pjesë në bisedime me SHBA-në nën presionin e flotës së madhe amerikane, e cila ndodhet pranë Gjirit Persik dhe është në pritje të urdhërit të presidentit amerikan për të sulmuar.

Trump ka deklaruar se nëse bisedimet dështojnë, ushtria amerikane do të godasë, ndërsa Irani ka paralajmëruar hakmarrje të paprecedentë ndaj objektivave amerikane në gjithë rajonin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›