FOKUS – Palestinezët e armatosur sulmojnë ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës

GAZË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Më shumë se 15 palestinezë të armatosur sulmuan sot një pozicion ushtarak në jug të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite.
“Sulmuesit qëlluan ndaj ushtarëve izraelitë dhe përdorën raketa antitank në zonën e Khan Younis”, tha një zyrtar ushtarak.
Trupat u përgjigjën me zjarr, të mbështetur nga sulmet ajrore, dhe vranë dhjetë nga sulmuesit, të cilët kishin dalë nga tunelet nëntokësore.
Media izraelite raportoi se sulmuesit kishin ndërmend të rrëmbenin ushtarët.
“Tre ushtarë u plagosën, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë”, tha ushtria.
Incidenti ishte ende duke vazhduar, ndërsa ushtria deklaroi se trupat po vepronin për të gjetur dhe eliminuar terroristët.
Krahu ushtarak i Hamasit mori përgjegjësinë për sulmin.
“Brigadat al-Qassam thanë se operacione të tilla do të vazhdojnë derisa të përfundojë pushtimi dhe populli të fitojë lirinë”, tha Hamasi në një deklaratë të mëtejshme. //a.i/