E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Pas grabitjes spektakolare në Luvër vihet në pikëpyetje siguria e muzeut

PARIS, 20 tetor /ATSH-AFP/ –  Vjedhja sendeve të çmuara nga Muzeu i Luvrit, e paraprirë nga një seri vjedhjesh në Paris dhe në Francë, ngre pyetje në lidhje me sigurinë e pamjaftueshme të muzeve, theksojnë ekspertët.

Një raport paraprak nga Gjykata e Auditorëve nxjerr në pah vonesën në vendosjen e pajisjeve për të siguruar mbrojtjen e muzeut.

Menjëherë pas hapjes së muzeut, hajdutët hynë me forcë në Galerinë Apollo, e cila mbante xhevahiret e Kurorës Franceze. Ata thyen vitrinat dhe vodhën një set bizhuterish me gurë të çmuar dhe diamante, të gjitha vetëm në pak minuta.

Sistemi jo funksional

Një muaj më parë, hajdutët hynë me forcë në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris gjatë natës, duke hapur me forcë një derë emergjence dhe vodhen 6 kg copëza ari.

Në fillim të shtatorit, një vazo dhe dy tabaka kineze, te klasifikuar si thesare kombëtare, u vodhën në mes të natës nga Muzeu Kombëtar Adrien Dubouché në Limoges, i cili mban një koleksion të pasur prej porcelani.

Sipas Zyrës Qendrore për Luftimin e Trafikimit të Pronës Kulturore (OCBC), edhe pse siguria ndryshon nga një muze në tjetrin, ato janë gjithnjë e më shumë në shënjestër për shkak të aseteve dhe veprave shumë të rëndësishme që mbajnë.

Mungesa e pajisjeve dhe stafit

60% e dhomave në krahun Sully dhe 75% në krahun Richelieu nuk mbikqyren nga kamerat.

“Më 26 maj 2024, në orën 13:49, isha në gjendje t’i afrohesha një fragmenti të një altari të pikturuar nga Rafaeli, një kokë engjëlli, deri në pikën e prekjes së tij, pa u ndezur asnjë alarm dhe pa më thirrur asnjë nga stafi”, theksoi një specialiste në kushte anonimiteti.

Ajo shpreh keqardhje për kete mbrojtje të mangët të veprave, ndryshe nga shumë muze italianë.

“Luvrit i mungojnë edhe rojet e sigurisë, me 200 vende pune të shkurtuara në 15 vjet, edhe pse frekuentimi është rritur 1.5 herë. Mund të ecësh nëpër disa zona pa hasur asnjë roje”, sipas nje përfaqësuesi të sindikatës.

Rinovime të mëdha u premtuan për Luvrin në fund të qershorit nga presidenti Francez Emmanuel Macron. Ato janë vlerësuar në midis 700 dhe 800 milionë euro gjatë dhjetë viteve, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël do të financohet nga shteti.

Muzeu po mbështetet në një tarifë më të lartë hyrjeje, të vendosur në rreth 35 euro për vizitorët jashte BE-se duke filluar nga viti 2026, për të siguruar të ardhura shtesë.   /os/  /f.k/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›