E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Përshkallëzohet lufta tregtare SHBA-Kanada, Otava përgatitet për kundërpërgjigje

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të dyfishojë nga 25% në 50% tarifat për automjetet dhe pjesët e makinave të importuara nga Kanadaja, duke nisur nga 1 janari, raportoi BBC.

Ky vendim vjen pas dështimit të negociatat tregtare SHBA-Kanada në fundjavë.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për kërkesa të papranueshme të bëra në momentet e fundit.

Kryeministri kanadez, Mark Carney tha se kërcënimi i Trump nuk ishte një surprizë dhe e akuzoi atë se kërkon të shkatërrojë industrinë kanadeze të automobilëve.

Ai deklaroi se Kanadaja është e gatshme të rikthehet në negociata vetëm nëse SHBA-ja vjen me “qëndrimin e duhur”.

Carney paralajmëroi gjithashtu se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane me tarifa reciproke – dollar për dollar – ndaj mallrave amerikane.

Kanadaja përgatitet për kundërpërgjigje

Qeveria kanadeze pritet të prezantojë masat e saj për përballimin e luftës tregtare, ndërsa bizneset paralajmërojnë se tarifat e reja do të rrisin kostot dhe çmimet.

Kanadaja ka njoftuar gjithashtu 11 miliardë dollarë kanadezë për ndërtimin e gjashtë akullthyeseve të reja, me synim forcimin e infrastrukturës dhe diversifikimin e tregtisë së vendit, e cila tradicionalisht është shumë e varur nga SHBA-ja.

Guvernatori i Ontarios, Doug Ford, një nga zërat më kritikë ndaj Trump, reagoi ashpër ndaj presidentit amerikan, ndërsa sugjeroi që Kanadaja të vendosë tarifa shtesë ndaj SHBA-së për naftën, gazin, energjinë elektrike dhe mineralet kritike.

Trump iu përgjigj duke akuzuar Ford për “mburrje” dhe paralajmëroi se pasojat për Kanadanë mund të jenë “shumë më të këqija”.

SHBA-ja varet nga Kanadaja për energjinë

Sipas të dhënave kanadeze, Kanadaja siguron rreth 60% të importeve të naftës bruto të SHBA-së dhe pothuajse 100% të gazit natyror që SHBA-ja importon.

Bizneset në të dyja vendet kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tarifave do të dëmtojë kompanitë dhe konsumatorët, duke rritur çmimet.

Rrezikohet edhe marrëveshja SHBA-Kanada-Meksikë

Përshkallëzimi i konfliktit po ngre pikëpyetje edhe për USMCA, marrëveshjen tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, e cila mbështet rreth 1,6 trilionë dollarë në tregtinë e Amerikës së Veriut.

Kanadaja dhe Meksika kërkojnë zgjatjen e marrëveshjes për 16 vite të tjera, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta rinovojë kontratën në formën aktuale.

Ekspertët e “Oxford Economics” paralajmërojnë se rreziku i shpërbërjes së USMCA-së është rritur dhe se një zhvillim i tillë mund ta çojë Kanadanë në recesion dhe ta vendosë ekonominë e saj në një trajektore më të dobët rritjeje, për një kohë të gjatë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›