E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Polonia krijon njësi të rezervistësh për mobilizim të shpejtë

VARSHAVË, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Si pjesë e zgjerimit të ushtrisë së saj, Polonia po planifikon krijimin e një kategorie të re rezervistësh, e cila mund të mobilizohet urgjentisht në raste emergjencash.

Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, njoftoisot se njësia e re e reagimit të shpejtë do të përbëhet nga rezervistë të trajnuar që marrin pjesë rregullisht në stërvitje ushtarake.

Sipas agjencisë së lajmeve PAP, kjo masë synon rritjen e numrit të pjesëtarëve të ushtrisë, përfshirë rezervistët dhe anëtarët e mbrojtjes vullnetare të atdheut  në 500 000 deri në vitin 2039.

Forcat e armatosura polake aktualisht numërojnë rreth 200 000 ushtarë.

Duke u ndjerë të kërcënuar nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë, Polonia po vijon një program riarmatimi.

Ministri Kosiniak-Kamysz justifikoi këtë hap duke përmendur ndryshimet demografike që mund të çojnë në ulje të numrit të rekrutimeve në vitet e ardhshme.

Anëtarësia në rezervën e gatishmërisë është vullnetare dhe shoqërohet me përfitime, si pagesa për trajnime.

Në vijim të ditëve të fundit, forcat e armatosura raportuan sërish hyrjen e objekteve fluturuese të ngjashme me balonat nga Bjellorusia në hapësirën ajrore polake.

”Sipas vlerësimit të agjencisë kufitare polake, balonat përdoren për kontrabandë cigaresh, por besohet gjithashtu se shërbejnë për të testuar gatishmërinë e forcave të sigurisë polake”, raporton gazeta ”Rzeczpospolita”.

Rreth 200 përpjekje të tilla për kontrabandë u regjistruan gjatë vitit 2025./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›