E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rubio: SHBA synon ta blejë Groenlandën

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po synojnë ta blejnë Groenlandën dhe se komentet e fundit për ishullin nuk duhet të interpretohen si sinjal për një pushtim ushtarak, raportuan mediet amerikane.

Rubio i bëri këto komente gjatë një informimi me dyer të mbyllura me ligjvënës amerikanë, thanë për ”Wall Street Journal” burime të njohura me diskutimet.

Sipas gazetës, qëllimi i administratës amerikane është blerja e ishullit autonom, i cili i përket Danimarkës.

Edhe “New York Times” raportoi në të njëjtën linjë, duke shtuar se presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij të paraqesin një plan të përditësuar për marrjen e Groenlandës.

Trump e kishte ngritur këtë ide edhe gjatë mandatit të tij të parë.

Së fundmi, administrata amerikane ka ashpërsuar retorikën lidhur me Groenlandën.

Shtëpia e Bardhë tha dje se përdorimi i mundshëm i forcës ushtarake mbetet një nga opsionet që po shqyrtohen.

“Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një gamë opsionesh për të ndjekur këtë objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt./  /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›