FOKUS – Të dënuarit forcojnë radhët e ushtrisë ukrainase

KIEV, 31 mars /ATSH/ – Në një poligon të acartë në lindje të Ukrainës, dhjetëra gra të dënuara po përgatiten për misione me dronë në vijat e frontit.
Një grua, me nofkën Kupo, drejton një kuadkopter (dron që përdorë katër rotorë), duke e ulur në tokë. Sikurse të trajnuarat e tjera në këtë poligon, ajo është liruar nga burgu për të shërbyer në batalionin Shkval, një njësit ushtarak i përbërë nga të dënuar.
“Për vite të tëra kam tentuar të hyj në ushtri”, thotë Kupo, teksa një grua tjetër mori telekomandën dhe droni u ngrit sërish mbi pemë.
“Që nga viti 2023 kam aplikuar kudo”, kujton ish e burgosura. “Atëherë, edhe kur filluan të pranonin të burgosur në ushtri, nuk pranonin gra”.
Ajo thotë se 46 brigada e kishin refuzuar para se rektruesit nga batalioni Shkval i Brigadës së 59-të të Ushtrisë erdhën në burgun ku po vuante dënimin Kupo.
Rekrutuesit ushtarakë përjashtuan ata që nuk ishin fizikisht të aftë për të shërbyer në ushtri, si dhe të burgosurit që kishin varësi nga droga ose që kishin kryer krime që i përjashtonin nga shërbimi ushtarak, sikurse përdhunimi apo vrasje të shumta. Afër 100 gra në mënyrë vullnetare pranuan të shërbenin në batalionin e të dënuarve, tregon Kupo, ndërkaq vetëm afër 20 u pranuan.
“Shumë gra ende po presin”, thekson ajo.
Kupo ishte dënuar në moshën 23-vjeçare për arsye që nuk deshi të flasë. Pas pesë vjetësh në burg, ajo u zotua se nuk do t’i shkonte dëm më asnjë ditë.
“Nuk ka kuptim vetëm të rrish në burg. Duhet të jesh i dobishëm. Mendoj se mund të jap kontributin tim të vogël për një fitore të madhe. Gjithçka do të jetë në rregull, edhe në rastin më të keq”, shprehet ajo.
Sipas kushteve të lirimit të Kupos nga burgu, ajo do të rifitojë lirinë e saj nëse shërben në ushtri “deri në fund të luftës” me Rusinë. Por, shumë prej të dënuarve nuk do të mbijetojnë aq gjatë. Detyrat me rrezik të lartë në disa nga pjesët më të rrezikshme të vijës së frontit i presin këta luftëtarë.
Gratë në këtë poligon stërviten për operacione të zbulimit, që janë më pak të rrezikshme sesa misionet sulmuese të këmbësorisë që u jepen shpesh shumë të dënuarve. Një instruktor në këtë poligon i bashkohet bisedës. “Për ju, këmbësoria është opsioni i fundit”. Një grua tjetër përgjigjet: “Ne do të kemi rezultate po aq sa burrat”.
Kupo pohon me kokë drejt një grupi të burrave të dënuar, që janë në moshë, e që po trajnohen pranë tyre. “Mendoj se ne do të kemi rezultate më të mira”, thotë ajo.
Përderisa shumica e grave në këtë poligon stërvitor janë në fund të të 20-tave, shumica e burrave janë tashmë në moshë të mesme. Teksa lufta vazhdon, Ukraina po përballet me vështirësi për të gjetur mjaftueshëm burra për të luftuar. Dhe, në kërkim të ushtarëve, Kievi kërkon kudo.
Burrat janë trajnuar për një muaj dhe tani po presin që t’i thërrasin në misione. Kurdo që vjen thirrja, ata do të dërgohen në misionin e parë sulmues dhe kjo mund të ndodhë kurdo.
Mes komandave që jepen me zë të lartë nga një instruktor, një i dënuar ulet për të pushuar pak. Pavarësisht se ka vizituar Francën vetëm disa herë, atij i është dhënë nofka Francezi.
“Është e vështirë për mua”, ankohet ai. “Në moshën time, është e vështirë”, thotë burri që edhe pak mbush 58 vjet.
Francezi pretendon se është futur në kurth nga policë të korruptuar në Gjeorgji dhe është burgosur atje dhe më pas është ekstraduar në Ukrainë. Ai u regjistrua për të luftuar menjëherë pasi u kthye në vendlindje, shkruan REL. /os/