E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Trump: SHBA do t’i dërgojë armë Ukrainës, pas sulmeve të vazhdueshme ruse

UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tha gazetarëve se synon të vazhdojë furnizimin me armë të Ukrainës, pavarësisht një ndalimi të pjesshëm të furnizimeve, të zbuluar së fundmi.

I pyetur nga një gazetar nëse planifikonte të dërgonte më shumë armë në Ukrainë, Trump tha se “do të dërgojmë edhe disa armë të tjera. Duhet ta bëjmë. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrohen. Po goditen shumë rëndë”.

Ai theksoi se fokusi do të ishte kryesisht te armët mbrojtëse.

Të martën e kaluar, u zbulua se Shtetet e Bashkuara kishin ndaluar dorëzimin e disa armëve të premtuara tashmë në Ukrainë, duke përfshirë raketat kundërajrore.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së shpjegoi se ndalimi nuk ishte specifik për Ukrainën dhe se SHBA-të po rishikonin aftësitë e tyre dhe kishin ndaluar ndihmën edhe për vendet e tjera.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për më shumë se tre vjet.

Ushtria ruse është përpjekur për javë të tëra të mposhtë mbrojtjen ajrore të vendit fqinj./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›