FOKUS – Trump: Vendimi i BM për ishujt Chagos forcon arsyet e SHBA-së për Groenlandën

LONDËR, 20 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se vendimi i Britanisë së Madhe për t’ia kaluar Mauriciusit ishujt Chagos është një nga arsyet pse ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin kontrollin e Groenlandës.
Presidenti amerikan, i cili po udhëton drejt Davosit në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror, e bëri këtë deklaratë ndërsa ashpërsoi retorikën e tij për marrjen e territorit arktik.
Trump publikoi një sërë postimesh gjatë mesnatës në platformën e tij Truth Social, duke folur për marrjen e Groenlandës, e cila është territor i aleatit të SHBA-së në NATO, Mbretërisë së Danimarkës.
“Çuditërisht, aleati ynë i shkëlqyer në NATO, Britania e Madhe po planifikon aktualisht t’ia japë ishullin Diego Garcia, vendndodhjen e një baze jetike ushtarake amerikane, Mauriciusit, dhe ta bëjë këtë pa asnjë arsye”, shkroi Trump në një nga postimet.
“Nuk ka asnjë dyshim se Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë akt dobësie totale. Këto janë fuqi ndërkombëtare që njohin vetëm fuqinë, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen time, tani, pas vetëm një viti, respektohen si kurrë më parë”, shtoi ai.
“Dhënia nga Britania e Madhe e një territori jashtëzakonisht të rëndësishëm është një akt i papërgjegjshëm serioz dhe përbën edhe një tjetër në një varg shumë të gjatë arsyesh të sigurisë kombëtare pse Groenlanda duhet të merret”, përfundoi Trump./ /Ad.Ab./ a.jor.