E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Trump dhe Merz premtojnë bashkëpunim të ngushtë SHBA-Gjermani

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz i ofroi bashkëpunim të ngushtë presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale.

“Ne kemi shumë të përbashkëta me historinë tonë”, i tha Merz Trump dhe gazetarëve në sallë duke folur në anglisht.

“Ne u detyrohemi shumë amerikanëve”, tha ai, duke shtuar se Gjermania “nuk do ta harrojë kurrë”, një referencë e mundshme për mbështetjen e SHBA-së për rindërtimin e Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Merz iu referua rrënjëve gjermane të familjes Trump, duke thënë se “mendoj se kjo është një bazë shumë e mirë për bashkëpunim të ngushtë midis Amerikës dhe Gjermanisë”.

Merz falënderoi Trump për mikpritjen e tij dhe për mundësinë për të qëndruar në ”Blair House”, shtëpia e pritjes për liderët e huaj.

Kancelari kujtoi vizitën e parë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1982, kur presidenti i atëhershëm Ronald Reagan ishte në detyrë.

“Jam shumë i lumtur që jam përsëri këtu dhe që i ofroj bashkëpunimin tonë të ngushtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi Merz.

“Do të kemi një marrëdhënie shumë të mira me vendin tuaj”, tha nga ana e tij presidenti amerikan, Donald Trump gjatë vizitës së kancelarit në Zyrën Ovale.

“Na është dhënë një mision nga populli ynë dhe një pjesë e këtij misioni është të kemi një marrëdhënie shumë të mirë me vendin tuaj. Kështu që dua t’ju falënderoj që jeni këtu”, i tha presidenti amerikan udhëheqësit gjerman./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›