E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Turizmi grek dhe qipriot ndien efektet e luftës në LM

ATHINË, 30 mars /ATSH-DPA/ – Greqia dhe Qiproja po ndiejnë efektet e luftës në Lindjen e Mesme ndërsa afrohet sezoni i festave, me pasigurinë mbi rritjen e kostove dhe zhvillimet ekonomike që shkaktojnë shqetësim në të gjithë sektorin e hotelerisë.

Në Athinë, përfaqësuesit e industrisë po vërejnë një ngadalësim të dukshëm të rezervimeve.

Agjencitë e udhëtimit dhe hotelierët thonë se shumë pushues po hezitojnë dhe presin të shohin se si do të zhvillohet situata.

Ministrja greke e Turizmit, Olga Kefalogianni, foli në fund të javës së kaluar për barrën psikologjike të shkaktuar nga lufta, por gjithashtu sugjeroi që pushuesit mund të përqendrohen në destinacionet e konsideruara të sigurta – përfshirë Greqinë, e cila ndodhet larg rajonit aktual të krizës.

Në të kundërt, Qiproja është më afër rajonit të konfliktit dhe ka përjetuar efektet e saj drejtpërdrejt: në fillim të marsit, një dron i prodhuar në Iran goditi bazën ajrore britanike ”RAF Akrotiri”, pranë Limasolit, duke shkaktuar dëme të vogla.

Qeveria në Nikosia ka paraqitur një paketë me vlerë 200 milionë euro (230 milionë dollarë) për të zbutur pasojat ekonomike të krizës së Lindjes së Mesme.

Në prill, do të mbulohet 30% e pagave të punonjësve në hotele dhe akomodime të tjera për pushime.

Qeveria po planifikon gjithashtu mbështetje për linjat ajrore.

Ministri qipriot i Turizmit, Kostas Koumis, tha se rënia e mbërritjeve turistike nga disa tregje të rëndësishme si Izraeli dhe disa shtete arabe ishte veçanërisht problematike./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›