FOKUS – Vendimi i Macron për të njohur shtetin palestinez në shtator zemëron Izraelin dhe SHBA-në

PARIS, 31 gusht /ATSH-ANSA/ – Vendimi i Presidentit Francez Emmanuel Macron për të njohur një shtet palestinez, duke nxitur lëvizje të ngjashme nga vendet e tjera perëndimore, zemëroi Izraelin dhe aleatin e tij SHBA duke e vendosur zgjidhjen me dy shtete përsëri në zemër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës shkatërruese në Gaza, shkruan AP.
Në një letër drejtuar kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu javën e kaluar, Macron shkroi se “vendosmëria jonë për të parë popullin palestinez të ketë shtetin e vet është e rrënjosur në bindjen tonë se paqja e qëndrueshme është thelbësore për sigurinë e shtetit të Izraelit”.
”Përpjekjet diplomatike të Francës burojnë nga zemërimi ynë ndaj katastrofës së tmerrshme humanitare në Gaza, për të cilën nuk mund të ketë asnjë justifikim”, shtoi Macron.
Izraeli e shpalli qytetin më të madh të Gazës një zonë luftimi, ndërsa numri i të vdekurve tejkaloi 63 000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit, që kur lufta filloi më 7 tetor 2023, me një sulm të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit. /os/