FOKUS – WP: Trump i kërkon Putinit mospërshkallëzimin e luftës në Ukrainë

UASHINGTON, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka folur në telefon me presidentin rus Vladimir Putin të enjten, shkroi gazeta amerikane ”Washington Post” duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.
”Trump e këshilloi Putinin të mos përshkallëzojë luftën kundër Ukrainës”, thuhet në raport.
Fillimisht nuk kishte asnjë informacion nga vetë Trump në lidhje me këtë.
Bazuar në burime anonime, raporti thoshte se ”Trump iu referua edhe pranisë ushtarake amerikane në Evropë”.
Thuhet se ”qëllimi ishte arritja e paqes në Evropë”.
Trump thuhet se sugjeroi diskutime të mëtejshme për të folur për një zgjidhje të luftës.
”Qeveria ukrainase u informua për bisedën dhe thuhet se nuk kishte kundërshtime”, shkroi ”Washington Post”.
Trump kishte njoftuar gjatë fushatës zgjedhore se do t’i jepte fund shpejt luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai ende nuk ka thënë se si synon ta arrijë këtë.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Ukraina kanë frikë se nën drejtimin e Trump, ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën mund të pakësohet, gjë që është thelbësore për t’iu kundërvënë pushtimit rus.
Sipas një raporti të pakonfirmuar në ”Wall Street Journal”, Trump si ish-president i SHBA thuhet se ka folur me Putinin disa herë në vitet e fundit./ a.jor.