FOKUS – Zvicra voton për kufizimin e popullsisë deri në 10 milionë

BERN, 14 qershor/ATSH/-Qytetarët e Zvicrës do t’u drejtohen sot kutive të votimit, për të vendosur në një referendum nëse popullsia e vendit duhet të kufizohet në 10 milionë banorë deri në vitin 2050, raportoi BBC.
Nisma është propozuar ngaPartia Popullore Zvicerane (SVP), e cila argumenton se masa synon të ulë presionin mbi tregun e banesave, shërbimet publike dhe mjedisin.
Kundërshtarët, megjithatë, e konsiderojnë atë një përpjekje të re për të frenuar emigracionin.
Popullsia e Zvicrës është rritur nga 7,3 milionë banorë në vitin 2002 në rreth 9,1 milionë sot, ndërsa 27% e banorëve kanë lindur jashtë vendit.
Sipas propozimit, qeveria do të duhet të ndërmarrë masa, sapo popullsia të arrijë në 9,5 milionë banorë.
Këto mund të përfshijnë kufizimin e azilit, kufizimin e bashkimit familjar për punëtorët e huaj dhe, nëse tejkalohet pragu prej 10 milionësh, edhe anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që bien ndesh me objektivin, përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve me Bashkimin Evropian.
Qeveria zvicerane, partitë kryesore politike, bizneset dhe sindikatat e kundërshtojnë nismën, duke paralajmëruar se ajo mund të shkaktojë mungesë të fuqisë punëtore në sektorë jetikë si shëndetësia, turizmi dhe kujdesi social.
Shoqatat e biznesit paralajmërojnë gjithashtu se miratimi i referendumit mund të dëmtojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, partnerin kryesor tregtar të Zvicrës, dhe të rrisë rrezikun e izolimit të vendit në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se emigracioni i lartë ka kontribuar në mungesën e banesave, mbingarkesën e infrastrukturës, trafikun dhe rritjen e kostove sociale.
Kundërshtarët kundërpërgjigjen se problemet ekonomike dhe sociale, nuk shkaktohen nga emigrantët, por nga politikat publike dhe mungesa e investimeve.
Sondazhet e fundit tregojnë një garë shumë të ngushtë. Rreth 52% e votuesve deklarohen kundër propozimit, ndërsa 45% e mbështesin atë, me një numër të konsiderueshëm qytetarësh ende të pavendosur.
Rezultati i referendumit pritet të jetë një test i rëndësishëm për qëndrimin e Zvicrës ndaj emigracionit dhe marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian. / /a.i/