FOKUS – Zyrtari i opozitës iraniane: Sulmet ajrore nuk mjaftojnë për të rrëzuar udhëheqjen fetare të vendit

PARIS,. 12 mars /ATSH/ – Një zyrtar i lartë i një grupi opozitar iranian me qendër në Paris tha sot se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nuk do të rrëzojë udhëheqjen klerikale të vendit, duke argumentuar se vetëm një kryengritje popullore e mbështetur nga rezistenca e brendshme mund ta bëjë këtë, sipas Reuters
Sipas tij, pothuajse dy javë bombardime kanë vrarë rreth 2 000 persona në Iran, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, dhe kanë dëmtuar një pjesë të madhe të aparatit ushtarak dhe të sigurisë së vendit.
Irani ka reaguar me kundërsulme, duke futur në kaos tregjet globale të energjisë dhe transportit dhe duke përhapur konfliktin në të gjithë Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike ka forcuar kontrollin mbi pushtetin dhe ka kërcënuar se do të shtypë çdo shenjë trazirash.
“Lufta 12 ditore në qershor e kaluar dhe lufta aktuale, tashmë në ditën e saj të 12-të, treguan se bombardimet nuk mund ta rrëzojnë regjimin”, tha Mohammad Mohaddesin, përgjegjës për politikën e jashtme në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), gjatë një konference për shtyp.
Ai theksoi se edhe një ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë nuk do të ishte e mjaftueshme pa mbështetjen e popullit iranian.
“Edhe nëse keni 50 000 ushtarë të armatosur në terren, ju duhet mbështetja e popullit iranian. Ju duhet një kryengritje popullore. Kombinimi i një force të tillë me një kryengritje popullore është ai që mund të krijojë fuqinë për të rrëzuar regjimin”, u shpreh Mohaddesin. /Ad.Ab./