FOKUS- BE dhe BM i kërkojnë Izraelit të ndalë dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor

BRUKSEL, 11 mars /ATSH/ – Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe i kanë kërkuar Izraelit të ndalë rritjen e dhunës nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, që është shtuar që nga fillimi i luftës së Izraelit me Iranin., sipas BBC.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjashtë palestinezë janë vrarë gjatë 11 ditëve të fundit në sulme të kolonëve në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor.
Britania e Madhe tha se ishte e tronditur nga këto vrasje, ndërsa BE-ja theksoi se niveli i dhunës së kolonëve është i papranueshëm dhe i bëri thirrje autoriteteve izraelite të ndërmarrin masa për të parandaluar sulme të tjera dhe për të ndëshkuar përgjegjësit.
Ushtria izraelite dënoi dhunën dhe tha se po punon për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.
Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime hebraike në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor që nga pushtimi i këtyre territoreve në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Rreth 700 000 izraelitë jetojnë në këto vendbanime, ndërsa në të njëjtat zona jetojnë edhe rreth 3.3 milionë palestinezë. Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. /Ad..Ab./