E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO/ Operacioni “blic” në Burgun e Peqinit, ja çfarë ndodhi

Forcat Operacionale të Burgjeve kanë zhvilluar këtë të shtunë një aksion të gjerë kontrolli në Burgun e Peqinit.

Operacioni është shoqëruar me prani të shtuar forcash, ndërsa rreth 20 furgona të Drejtorisë së Burgjeve janë parë duke dalë në autokolonë nga territori i institucionit.

Uniformat blu kanë njoftuar se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa telefona celularë në qeli, si dhe sende të tjera të ndaluara.

Aksioni është zhvilluar nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, me pjesëmarrjen e forcave operacionale dhe speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të mbështetura nga strukturat e sigurisë së disa IEVP-ve në vend.

Gjatë operacionit janë përdorur mjete të avancuara kontrolli, si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen antidrogë dhe skanerë, ndërsa kontrolli ka përfshirë të gjitha ambientet, përfshirë sektorët e banimit, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, si dhe zonat e sigurisë përreth.

Si rezultat i kontrolleve, janë konstatuar dhe sekuestruar sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike. Në një rast është evidentuar edhe një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur procedurat ligjore.

Në kuadër të këtij operacioni është bërë edhe transferimi i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët konsideroheshin rrezik për sigurinë në institucion.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare, ndërsa paralajmëron se këto kontrolle nuk do të jenë raste të veçanta, por standard i punës së përditshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›