E Premte, 6 Nëntor 2026

FRONTI I BULEVARDIT!

agron xoxa

Nga AGRON XOXA

Përpara më shfaqet një ekran i çuditshëm, pa përmasa, pa kufij, ku shkronja të mëdha e të shndritshme shkrihen me njëra-tjetrën dhe ribëhen, si të derdhura në metal të zjarrtë: MIRË SE VINI NË KAPITALIZËM! FERRI ËSHTË I HAPUR PËR TË GJITHË! HYRJA GRATIS! DALJA SIPAS TARIFAVE NË FUQI!

Çudia është se këtë shkrim e kam bërë vetë unë! Nuk di as si, as kur, por jam plotësisht i bindur se e kam shkruar me dorën time gjithë këtë rrumpallë krijimi. Dhe ndërsa përpiqem të kujtoj se ç’më ka shtyrë të shkruaj një marrëzi të tillë, ekrani vazhdon të më flasë me mirësjellje të admirueshme: MIRË SE ERDHËT! Kemi kënaqsinë t’ju njoftojmë se, pas një periudhe të gjatë izolimi, vuajtjesh, sakrificash dhe mungese të lirive themelore, dyert e Ferrit janë hapur për të gjithë. Hyrja është e lirë, pa asnjë detyrim. Qëndrimi i detyrueshëm. Dalja, për arsye sigurie, bëhet vetëm me autorizim nga autoritetet përkatëse. Ju lutemi të ruani biletën deri në fund të udhëtimit!

Dhe mos harroni: të gjithë udhëtarët janë të barabartë, me përjashtim të atyre që kanë rezervuar më parë vendet në klasën ELITE. Ndërrimi i vendeve ndalohet rreptësisht. Udhëtarët e klasës ECONOMY mund të bëjnë ç’të duan me njëri-tjetrin, por jo të ngatërrohen me klasën e parë! Kalimi i paligjshëm dënohet me shkurtim ditësh nga jeta. Burgu nuk parashikohet më si masë ndëshkimore, sepse i ka dalë boja. Ankimimi lejohet vetëm pas vdekjes.

Kohë të bukura! Të shenjta! Të nëmura!

Rri e mendoj i mahnitur. Kujtoj kohën kur ishim keq, shumë keq, të mbyllur në një sistem që, për të na bindur se ishim të lumtur, na kishte ndaluar ta krahasonim lumturinë tonë me atë të të tjerëve. Por kishim barazi! Ajo ishte kudo, edhe në ajrin që thithnim, e shkruar në Kushtetutë, në dokumente, në parulla, në fjalimet e udhëheqësve, sidomos të atij, të madhit! Ishte aq e përhapur, sa nuk kishte mbetur vend për ta zbatuar. Barazia, ai fëmijë i civilizimit me nënë të panjohur, ishte futur deri në qelizë, në ADN, në palcë të kockës. Sigurisht, disa ishin më të barabartë se të tjerët, por kjo konsiderohej një çështje teknike, jo ideologjike. Një disproporcion i vogël, një klasë e privilegjuar, disa borgjezë të rinj me biografi proletare. Asgjë për t’u shqetësuar!

“Ishim më mirë kur ishim më keq”, dëgjoj të thuhet sot. Dokrra! Bullsheet!

Pastaj erdhi demokracia. Na hapi kufijtë, na dha pasaporta, na njohu të drejtën të flisnim, të protestonim, të zgjidhnim dhe të përzgjkdheshim dhe, mbi të gjitha, edhe të largoheshim. Madje u investua asistencë gratis për çdo largim. Një e për një! Familjarisht! Sa më shumë, aq më shumë dashamirësi, mbështetje, madje edhe mirënjohje!

Dhe në masë u larguam. Me mijëra, me qindra mijëra, të rinj, të moshuar, të diplomuar, të papunë, mjekë, inxhinierë, artistë, punëtorë. Një popull i tërë që kishte ëndërruar të dilte nga burgu dhe, kur dera u hap, zbuloi se jashtë kishte një botë të madhe ku duhej të paguante qiranë.

Megjithatë, nuk kishte krahasim me të shkuarën. Tani ishim të lirë të zgjidhnim, të qeshnim, madje edhe të vuanim, vetëm të mos talleshim me zë tepër të lartë! Të lirë të ktheheshim e të investonim për Atdheun, me tamtame, banderola e flamuj; të konkurronim për tendera shumëmilionësh, në euro, dollarë apo ç’të kishim në xhep, mjaft të kishim edhe dorën që firmoste. Të lirë madje të falimentonim, sepse gjithçka lejohej në procedurë. Dhe, nëse nuk na pëlqente ky format i ri i lumturisë, mund të largoheshim përsëri nga kishim ardhur.

Ndërkohë, në atdheun tonë të dashur filloi rindërtimi i një sistemi të ri, me institucione, parti e bankierë të rinj dhe një numër të konsiderueshëm njerëzish të vjetër, të cilët kishin zbuluar me shpejtësi marramendëse avantazhet e ekonomisë së tregut. Demokraci e vërtetë, e lirë, lakuriq!

U krijuan elitat. Në të vërtetë, elitat ekzistonin edhe më parë, por tani mund të shumëfishoheshin, të privatizoheshin, të trashëgoheshin dhe, në raste të veçanta, të pronësonin gjithçka që syri shihte dhe dora prekte: tokën, banesat, rrugët, malet, fushat e kodrat. Me ligje të qarta, me procedura të thjeshtuara, pa mundim! Mjaft t’i shkruaje e-Albania ose të flisje me Diellën fuqiplotë e çudibërëse!

Sociologu italian Vilfredo Pareto e kishte quajtur këtë dukuri qarkullimi i elitave. Ne i dhamë një kuptim më praktik. Elitat qarkullonin nga njëra parti te tjetra, nga qeveria te biznesi, nga biznesi te parlamenti dhe nga parlamenti përsëri te biznesi, me një përsosmëri të tillë sa askush nuk humbiste rrugën. Vetëm qytetari mbetej jashtë rrethrrotullimit, por kjo ishte një imtësi relative, një defekt i vogël urbanistik.

Robert Michels, me ligjin e tij të hekurt të oligarkisë, kishte shkruar: “Kush thotë organizim, thotë oligarki.” Dhe ne, për të mos e zhgënjyer, organizuam gjithçka: partitë, institucionet, administratën, drejtësinë, luftën kundër korrupsionit. Një kapitalizëm model, i rilindur nga hiri i vet si feniksi, por me kontrata koncesionare! Marksi e Lenini, përfundimisht, na morën të keqen! Madje riorganizuam edhe korrupsionin, sepse një veprimtari kaq e rëndësishme nuk mund t’i lihej spontanitetit. U krijuan komisione, nënkomisione, agjenci, NGO, fondacione, inspektorate, borde mbikëqyrëse dhe struktura të posaçme për të kontrolluar strukturat e tjera. Çdo institucion kontrollonte një institucion tjetër, i cili, për të shmangur konfliktin e interesit, kontrollohej nga i pari. Vertikalisht!

Sistemi funksionoi. Madje funksionoi aq mirë, sa filloi të korruptonte vetveten!

Ky ishte një zhvillim i papritur, i pabesueshëm në fillim, por që shumë shpejt u kthye në model. Deri atëherë korrupsioni kishte pasur një rregull të pashkruar: ata që merrnin duhej të respektonin ata që jepnin; ata që jepnin, ata që firmosnin; ata që firmosnin, ata që i emëronin. Një zinxhir çudibërës solidariteti, ku secili kishte vendin e tij e askush nuk duhej të ngatërronte xhepat.

Por ja që një ditë dikush mori paratë dhe nuk bëri punën. Një tjetër bëri punën dhe kërkoi dyfishin.

Një i tretë shiti sekretin e marrëveshjes, ndërsa një i katërt shiti sekretin e shitjes së sekretit. U krijua një situatë e paprecedentë: korrupsioni nuk po respektonte më rregullat që kish krijjar vetë! U mblodhën përfaqësuesit e elitave, në takime konfidenciale. Disa thoshin se takime u zhvilluan diku larg, drejt Karaibeve, Arubës apo ishujve me emra të paditur e sot kudogjendur. Një fluturim zogu dhe gjendeshe përballë atij që duhej!

Të pranishmit u akuzuan reciprokisht për korrupsion, për larje parash nga trafik drogërash të forta, armësh, për shpërdorime, tradhti e pasurime të paligjshme. U tha se vëndi po copëtohej në llokma dhe ishte në shitje çfarëdolloj prone, toke, rajoni, ishulli, gadishulli!

Pas orë e orë diskutimesh të ashpra, u arrit në përfundimin se situata kërkonte përgjegjësi të përbashkët. U ngrit një komision, komisioni kërkoi buxhet, buxheti u miratua dhe, për të shmangur çdo dyshim, fondet iu besuan atyre që kishin më shumë përvojë në administrimin e tyre. Kriza u kapërcye. Përkohësisht. Fjala “përkohësisht” u bë e gjithëpushtetshme! Të përkohshëm njerëzit, administratat, ministrat, presidentët. Por jo Udhëheqësi! Ai jo! As sistemi!

Ndërkohë, jashtë sallës së mbledhjeve kishin filluar të grumbulloheshin njerëz, me pankarta, figura zogjsh, gjitarësh, përbindëshash, ulërima e slogane. Në fillim ishin pak, pastaj u shtuan. Kërkonin punë, drejtësi, përgjegjësi, llogaridhënie. Disa kërkonin dorëheqje, disa zgjedhje, ndërsa të tjerë nuk besonin më as te njëra, as te tjetra.

Kjo shqetësoi administratën. Jo kërkesat, ato ishin të njohura. E shqetësoi fakti që qytetarët kishin filluar t’i përsërisnin papushim. Me zë të zhurmshëm dhe britma! U përgatit një komunikatë: “Qeveria garanton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe u bën thirrje të mos e ushtrojnë këtë të drejtë në mënyra që mund të shqetësojnë qeverinë.” Komunikata u konsiderua e ekuilibruar. Por protesta vazhdoi. Atëherë u vendos të mbrohej rendi!

Max Weber e kishte përkufizuar shtetin përmes pretendimit të tij për monopolin e përdorimit legjitim të forcës fizike. Një përkufizim serioz, që në praktikën tonë mori një formë shumë më të thjeshtë: shteti kishte monopolin e forcës, ndërsa qytetari monopolin e durimit!

Por qytetarët, për fat të keq, nuk ishin konsultuar me Weberin. Disa hodhën gurë, madje edhe pritën t’u ktheheshin. Disa goditën policë, disa policë përdorën forcë edhe aty ku nuk duhej. U shpallën masa ndëshkimore, me paanësi të admirueshme, vetëm se të nesërmen u harrua të botoheshin në faqen zyrtare. Të tjerë u përpoqën të mbronin njerëzit dhe të shmangnin përshkallëzimin. Në pak minuta, një protestë me kërkesa politike u shndërrua në një përplasje ku secila palë shihte te dhuna e tjetrës arsyen për të vazhduar.

U aktivizuan mjetet e posaçme: automjete të blinduara, gaz lotsjellës, dronë, sisteme komunikimi, pajisje mbrojtëse, kamera dhe qendra operative. Një teknologji e tërë në shërbim të rendit!

Në një nga ekranet e qendrës së komandimit, një operator dalloi një burrë të moshuar që qëndronte i palëvizur në trotuar. Dikush pyeti çfarë po bënte. “Asgjë, po rri me duar në xhepa”, iu përgjigjën. “Me të dyja?” “Me të dyja!” Situata u konsiderua serioze. Si mund ta dinin çfarë kishte në duar? Dhe, mbi të gjitha, çfarë po mendonte?

U diskutua në komision, u propozuan reforma dhe Parlamenti, njëzëri *njëri krah, miratoi masat përkatëse njëzeri! Nga administrata lart erdhi urdhri: “Regjistrojeni! Ndalojeni! Mund të jetë duke menduar diçka të paligjëshme!”

Ndërkohë, një qytetar tjetër, i zemëruar me dhunën e policisë, goditi me gur xhamin e një dyqani. Pronari i dyqanit, i cili kishte dalë edhe vetë në protestë kundër padrejtësisë, u kthye menjëherë në shtëpi për të kërkuar drejtësi për xhamin. Kështu, brenda pak minutash, dy njerëz që kishin dalë në të njëjtin shesh për të njëjtën arsye, u gjendën në dy anë të kundërta të drejtësisë.

Hannah Arendt kishte paralajmëruar se dhuna mund ta shkatërrojë pushtetin, por nuk mund ta krijojë atë. Në shesh, ndërkohë, të gjithë ishin të zënë duke provuar të kundërtën!

Dhe erdhi nata. Pastaj mëngjesi. Qyteti u zgjua i lodhur, i nxirë, me xhama të thyer, pllaka të shkulura dhe atë erën e rëndë që mbetet pasi njerëzit kanë shkëmbyer gaz, gurë dhe urrejtje. Por institucionet ishin në këmbë dhe, si gjithmonë, filluan punën. U ngrit Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve. Në krye të tij u emërua një specialist i shquar i inventarizimit, me përvojë tridhjetëvjeçare në numërimin e gjërave që mund të zëvendësoheshin. Komisioni konstatoi dyzet e shtatë xhama të thyer, tetëmbëdhjetë pllaka bulevardi të dëmtuara, gjashtë kosha mbeturinash të djegur, tri tabela rrugore të shkatërruara, disa automjete të dëmtuara dhe një numër njerëzish të plagosur. Për të plagosurit u kërkua raport i veçantë. Për xhamat u miratua menjëherë fondi! Në përfundim të mbledhjes, një nëpunës i ri, ende i papërvojë në administratën publike, ngriti dorën.

-Po besimi i publikut? Kryetari i komisionit ngriti sytë nga formulari.

-Nuk e kemi në rubrikë testimi.

-Po dinjiteti?

-Nuk është objekt inventarizimi. Duhen pyetur të burgosurit!

-Po frika?

-Për të nuk ka njësi matëse.

-Po zemërimi, fyerjet, sharjet nga nëna, motra, sorollopi?

-Nuk rezultojnë në sistem. Por mund të ngremë një komision dhe të hartojmë një ligj të ri për etikën e protestës. Të qartë dhe të zbatueshëm!

-Po njerëzit që nuk besojnë më se do të marrin drejtësi?

Kryetari ngriti sytë, heshti një çast, pastaj mbylli dosjen: Ju lutem! Mos politizoni mbledhjen!

Dhe me votim unanim u konstatua se dëmet ishin plotësisht të riparueshme. Në fundjavë xhamat u ndërruan, bankat rihapën dyert, dyqanet rifilluan shitjet, televizionet kaluan në tema të tjera. Qeveria deklaroi se rendi ishte rivendosur, opozita se protesta kishte qenë historike. Të dyja palët shpallën suksesin dhe qytetarët u kthyen në shtëpi.

Vetëm besimi nuk u kthye. Askush nuk e kishte përfshirë në planin e rikonstruksionit. As në tabelat e emulacionit, as në tabela Eurostat-i!

Pikërisht këtu do të duhej të fillonte një hetim tjetër. Jo për xhamat, pllakat apo koshat e mbeturinave, por për atë që ndodh me një shoqëri kur njerëzit nuk besojnë më se institucionet janë vendi ku mund të kërkojnë drejtësi. Sepse një xham i thyer nuk është njësoj me një besim të thyer. Njëri zëvendësohet me para, tjetri kërkon kohë, përgjegjësi, drejtësi dhe, ndonjëherë, një brez të tërë.

Charles Tilly, duke studiuar lëvizjet shoqërore, e shihte protestën si pjesë të marrëdhënies së vazhdueshme midis qytetarëve, pushtetit dhe kërkesave të tyre. Ne, me sa duket, kemi shpikur një marrëdhënie më të thjeshtë: qytetarët kërkojnë, pushteti përgjigjet, qytetarët nuk kënaqen dhe pushteti shpjegon se nuk janë kuptuar siç duhet përgjigjet e tij. Qytetarët dalin në shesh, pushteti kërkon qetësi; qytetarët kërkojnë drejtësi, pushteti kërkon të mos pengohet qarkullimi. Dhe kur më në fund qarkullimi rivendoset, të gjithë përgëzojnë njëri-tjetrin, përveç atyre që kishin dalë për të kërkuar ndryshim.

Ata duhet të presin protestën tjetër. Ndoshta pas një muaji, ndoshta pas një viti, ndoshta pas një brezi!

Sepse kjo është mrekullia e sistemit: ai mund të ndryshojë qeveritë, ministrat, kryetarët, flamujt, sloganet, madje edhe emrin e vet, pa qenë i detyruar të ndryshojë marrëdhënien e tij me qytetarin. Dhe kjo marrëdhënie është e vetmja që nuk hyn kurrë në inventar.

Ndërkohë, diku në një apartament të zakonshëm, një pensionist ndjek lajmet. Ka jetuar diktaturën, ka pritur demokracinë, ka brohoritur për lirinë. Ka parë njerëz të largohen, qeveri të vijnë e të ikin, elita të ndërrojnë kostumet dhe institucione që, pavarësisht emrave të rinj, vazhdojnë t’i kërkojnë qytetarit të ketë durim.

Në ekran shfaqet një politikan që premton se gjithçka do ndryshojë. Pensionisti e di përmendësh. Ndërron kanalin. Një politikan tjetër premton se asgjë nuk do të jetë si më parë. Edhe këtë e njeh. Në kanalin e tretë, një ekspert shpjegon se shoqëria ka nevojë për një kontratë të re midis qytetarit dhe shtetit. Pensionisti mendon se do të ishte mirë të gjendej kontrata e vjetër, për të parë kush nuk e kishte respektuar. Pastaj fik televizorin. Në dhomë bie qetësia. Për herë të parë gjatë gjithë ditës nuk ka as protesta, as policë, as ministra, as ekspertë, as komisione. Vetëm ai, një njeri i lirë të mendojë, të kujtojë, të dëshpërohet dhe, nëse dëshiron, të shkruajë mbi protesta perfekte, ultraekstremiste, që nuk do të thyejë asnjë xham dhe djegë koshe mbeturinash.

Ulet përpara letrës dhe shkruan: MIRË SE VINI NË KAPITALIZËM! FERRI ËSHTË I HAPUR PËR TË GJITHË! Pastaj ndalet, mendon për ata që kanë çelësat e daljes dhe shton: HYRJA FALAS. DALJA SIPAS TARIFAVE NË FUQI!

E rilexon. Nuk qesh. Sepse e kupton se, në këtë Ferr, ata që premtojnë shpëtimin mund të kenë aksione në kompaninë që administron portat e varrimit.

Por nga ekrani i një televizori tjetër, ende i ndezur në dhomë, vazhdojnë të vijnë pamjet e bulevardit. Turma, policë, makina të blinduara ujëhedhëse, gaz, gurë, plumba gome.

Papritur, një protestues goditet në sy. Një ulërimë e ngjethshme çan zhurmën e sheshit. Kamera afrohet, largohet, afrohet përsëri. Lajmi përhapet me shpejtësi. Një sy i plagosur, një njeri që mund të mos shohë më! Por makineria është në punë. Fillojnë deklaratat, përgënjeshtrimet, komunikatat, reagimet, postimet, memet. Në groteskun e ekranit, udhëheqësi jep urdhër të bëhet gati avioni spital. I plagosuri do të marrë ndihmën më të mirë, madje do të dërgohet urgjentisht në spitalin më të mirë të shtetit përballë! E motra përgënjeshtron, i vëllai pohon. Një zë kërkon hetim, një tjetër durim, një i tretë kërkon të mos politizohet ngjarja.

Ndërkohë, njeriu i plagosur ka vetëm një sy për të shpëtuar, por askush nuk ka kohë të merret me këtë hollësi. Duhet sqaruar urgjentisht kush e dha lajmin i pari, kush e përgënjeshtroi i dyti dhe kush përfitoi politikisht nga i treti.

Çdo ngjarje, çdo detaj merr një kontekst tjetër nga i pari. Çdo absurd riprodhohet gjenetikisht në absurde pa emër dhe pa fund! Çdo qytetar humb vetëdijen ku ndodhet, çfarë ngjet dhe i duket se është në një film, ku ai është personazh dhe ku fundi filmit nuk është fund përjetimi. Ai vazhdon në ankth. Qeveritë shohin punën, ruajtjen e rendit, zhvillimin. Bursat lëvizin sa lart poshtë. Nafta, gazi shkojnë përpjetë si në fluturimet supersonike. Leku qëndron fort, sfidon çdo monedhë! Ekonomia rritet, forcohet, kthehet beton dhe kulla qiellgërvishtësi! Qeveritë mund të ndërrohen largqoftë, por trendi, ritmi, zhvillimi, mentaliteti, kapitalizmi, sistemi, jo!

Gurët vazhdojnë të hidhen në bulevard. Përplasjet, tymnaja, gazi dhe bombat e ujit vazhdojnë edhe për pak, derisa euforia fillon e zbehet, njerëzit rrallohen, memet lodhen dhe postimet shterrin. Kamerat kërkojnë një lajm tjetër. Qetësia është afër, fare afër!

Pensionisti vështron ekranin. Një njeri mund të humbë syrin, një tjetër fiton argumentin. Dikush humbet besim, dikush tjetër fiton të drejtë të shpallë fitore.

Të nesërmen, një gazetë qendrore del me titullin: ASGJË E RE NGA FRONTI I BULEVARDIT! Poshtë tij, me shkronja të vogla, pothuaj të padukshme:

MIRË SE ERDHËT NË FERR! HYRJA GRATIS. DALJA…!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›