FUTBOLL – Modriç i thotë “lamtumirë” Realit

MADRID, 22 maj /ATSH-AFP/ – Mesfushori kroat Luka Modriç, 39 vjeç, njoftoi largimin nga Real Madridi, ku ka luajtur që nga viti 2012, me një nga rekordet më të mëdha në historinë e futbollit.
”Ka ardhur koha (…). Të shtunën do të luaj ndeshjen time të fundit në ‘Santiago Bernabeu’. Edhe pse, pas Kupës së Botës për Klubet, nuk do ta vesh më këtë fanellë në fushë, do të jem gjithmonë një madridas”, shkroi fituesi i Topit të Artë 2018 në një deklaratë në Instagram.
”Mbërrita në vitin 2012 me ëndrrën për të veshur fanellën e ekipit më të mirë në botë dhe me ambicien për të arritur gjëra të mëdha, por nuk mund ta imagjinoja gjithçka që ndodhi më pas (…) Jam krenar që kam qenë pjesë e një prej epokave më të suksesshme të klubit më të mirë në histori”, shpjegon Modriç.
Në 13 sezone dhe 590 ndeshje të luajtura me fanellën e Real Madridit, ”magjistari” kroat fitoi gjithçka duke ndërtuar një nga rekordet më mbresëlënëse në historinë e futbollit, me 28 trofe, përfshirë gjashtë Liga Kampionësh, katër La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe pesë Superkupa spanjolle.
Në nivel individual, lojtari më i dekoruar në historinë e Realit ai bëri një hap tjetër përpara në histori duke fituar Topin e Artë në vitin 2018, duke thyer hegjemoninë e Lionel Messit të Argjentinës dhe Cristiano Ronaldos të Portugalisë./ /os/