E Diel, 1 Nëntor 2026

FUTBOLL – SHBA i mohon hyrjen, arbitri somalez humbet ëndrrën e Botërorit

MOGADISHU, 10 qershor /ATSH/ – Gjyqtari somalez Omar Abdulkadir Artan ka deklaruar se ëndrra më e madhe e karrierës së tij u shkatërrua pasi autoritetet amerikane i refuzuan hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, sipas “The New York Times”.

Ai ishte një nga 52 gjyqtarët e përzgjedhur për turneun dhe do të bëhej somalezi i parë që do të drejtonte një ndeshje të Kupës së Botës

Në një intervistë për gazetën e lartpëmendur, Artan tha se ishte thellësisht i zhgënjyer nga vendimi. Sipas tij, arbitrazhi në Kupën e Botës do të ishte një simbol krenarie për të gjithë somalezët dhe një dëshmi se ata mund të arrijnë suksese pavarësisht vështirësive me të cilat përballet vendi i tyre.

Artan mbërriti në aeroportin e Miamit pesë ditë para nisjes së turneut, por u ndalua nga zyrtarët amerikanë të kufirit. Ai tha se iu nënshtrua një procesi pyetjesh që zgjati rreth 11 orë dhe më pas u mbajt për disa orë të tjera në një qendër ndalimi përpara se të dërgohej me avion drejt Stambollit. Sipas tij, kishte vizën e nevojshme, dokumentacionin e FIFA-s dhe të gjitha dokumentet e kërkuara.

Autoritetet amerikane të kufirit deklaruan se vendimi u mor pas një procesi shtesë verifikimi dhe se Artan u konsiderua i papranueshëm për shkak të shqetësimeve që lidhen me kontrollin e sigurisë. Ata nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete të refuzimit.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit dhe politikës. Drejtues të futbollit afrikan dhe figura politike amerikane kritikuan vendimin, ndërsa drejtues të administratës amerikane argumentuan se siguria kombëtare mbetet përparësi. Mediat raportuan se emri i Artanit është i ngjashëm me atë të një personi të sanksionuar nga SHBA për lidhje të dyshuara me grupin militant Al-Shabaab, gjë që mund të ketë nxitur kontrolle shtesë.

Ndërkohë, FIFA konfirmoi se Artan nuk do të mund të marrë pjesë si gjyqtar në Kupën e Botës. Vetë arbitri këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje me grupet militante dhe se ka kaluar katër vitet e fundit duke u përgatitur për këtë moment, të cilin e cilësonte kulmin e karrierës së tij profesionale. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›