Falsifikonte karta identiteti dhe merrte kredi, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi falsifikonte karta identiteti dhe aplikonte më pas me to për të marrë kredi.
Policia njoftoi sot se “seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, operacionin policor të koduar “Identiteti”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi: S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë”.
Nga hetimet, sipas Policisë, “ka rezultuar se ky shtetas falsifikonte karta identiteti, duke përdorur foton e tij dhe të dhëna të shtetasve të tjerë, dhe me to aplikonte dhe përfitonte kredi me vlera nga 1000 euro deri në 3400 euro. Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar 9 raste të përfitimit të kredive, nga ky shtetas, pas aplikimit me dokumente false”.
Gjithashtu u sekuestrua 1 automjet, karta identiteti të dyshuara të falsifikuara, 2 celularë dhe 20 karta SIM.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/m.q//a.f//r.e/