“Familjet në nevojë shtyjnë muajin me 20-30 mijë lekë, kryebashkiakja e Durrësit i rrit rrogën vetes”/ Ibraj: Kaq shumë na u lodh për t’u shpërblyer me më shumë?!

Anisa Ibraj, Sekretare për Rininë në Partinë e Lirisë dhe anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës, gjatë fjalës së saj në “Foltoren” e kësaj të hëne para Kryeministrisë, u ndal tek ajo çfarë ka ndodhur në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli.
Sipas saj, ndërkohë që familjet në nevojë të Durrësit luftojnë për të mbijetuar me ndihma qesharake, 20–30 mijë lekë në muaj, në të njëjtën mbledhje u votua rritja e pagës së kryetares së bashkisë.
Ibraj shtoi më tej se, qytetarëve u kërkohet të bëjnë llogari për çdo qindarkë, ndërsa për paratë publike vazhdojnë të dëgjohen akuza publike për vjedhje që pasurojnë një grusht njerëzish.
“Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak në Durrës, ngrita zërin për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, familje që nuk shtyjnë dot dy ditë, e lëre më një muaj. Pikërisht në atë moment, kur po flisja për këtë realitet, fjala ime u ndërpre.
Ndërkohë që këto familje luftojnë për të mbijetuar me ndihma qesharake, 20–30 mijë lekë në muaj, në të njëjtën mbledhje u votua rritja e pagës së kryetares së bashkisë. Një kryetare që prej një viti nuk shfaqet. Nuk vjen në mbledhje. Nuk përballet me qytetarët. Nuk jep llogari!
Dhe sot unë pyes: A shpërblehet mungesa? A shpërblehet arroganca? A shpërblehet braktisja e qytetarëve? A na u lodh kaq shumë vallë kryetarja e bashkisë, për t’u shpërblyer me më shumë?
Ndërkohë, nga Tirana, dëgjojmë Edi Ramën që na flet për burra që pijnë raki! Na flet për karta ushqimore! Na jep leksione si të jetojmë me 20 mijë lekë të vjetra! Sa e lehtë është të flasësh nga zyra! Sa e lehtë është të tallesh me njerëzit! Ndoshta është e lehtë për të të akuzojë burra që pijnë raki, ndërkohë që harrohet se një pjesë e madhe e këtyre familjeve janë gra kryefamiljare që mbajnë shtëpitë me sakrificë dhe me të ardhura që mezi mbulojnë disa ditë, jo një muaj.
Por ironia më e madhe është kjo: qytetarëve u kërkohet të bëjnë llogari për çdo qindarkë, ndërsa për paratë publike vazhdojnë të dëgjohen akuza publike për vjedhje që pasurojnë një grusht njerëzish.
Ndërsa familjet përpiqen të shtyjnë muajin me 20 apo 30 mijë lekë të vjetra, në diskursin publik përmenden shifra marramendëse që tregojnë sa larg është bërë realiteti i pushtetit nga realiteti i njerëzve. Në fund të ditës, qytetarët nuk kanë nevojë për etiketime dhe as për karta që nuk ndryshojnë realitetin e tyre. E sa më shumë që tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet reale te justifikimet, aq më shumë bëhet e qartë:
Problemi nuk janë njerëzit që marrin ndihmë ekonomike! Problemi është një qeveri që është shkëputur nga realiteti! Një qeveri që nuk ndalet së marrë, por nuk di të japë!
Dhe deri në momentin që qytetarët të marrin shërbimet që meritojnë dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre, ne nuk do të heshtim! Nuk do të tërhiqemi! Sepse kjo është beteja për jetën e përditshme të çdo familjeje shqiptare!”, tha gjatë fjalës së saj Ibraj.