Fatkeqësitë natyrore kushtojnë më shumë/ 1 miliard lekë për përballimin e përmbytjeve në 2026

Fatkeqësitë natyrore po bëhen gjithmonë e më të rrezikshme dhe të dëmshme me Shqipërinë që, pas zjarreve në verë, po përballet me mot të keq dhe reshje intensive të cilat kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, dëme ekonomike për familjet shqiptare dhe humbje jetësh.
Për t’i paraprirë përmbytjeve dhe rregulluar dëmet e evidentuara në lumenj, diga apo hidrovorë dhe marrë parasysh paralajmërimeve të Bankës Botërore se këtë vit vendi ynë rrezikohet edhe më shumë, qeveria parashikon për 2026 një fond afro 1 miliardë lekësh, më të madhin në 5-vjeçarin e fundit.
Fonde të cilat do të përfshijnë këtu riparim argjinature, rehabilitim lumenjsh, digash, hidrovoresh dhe kanalesh ujitës.
Konkretisht këto para do të shkojnë për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja kolektorin e Roskovecit, mbrojtjen e lumit të kalasë, Shushicës në Vranisht, lumit të Vjosës në Kashisht, lumit Mat në Skuraj, lumit Drin në Bahcallëk, lumit Buna në Darragjatë dhe Oblik të Shkodrës, ndërsa mbrojtje nga gërryerja dhe përmbytja e lumit Osum në Starovë. Ndërhyrjet në argjinaturë do të kryhen në lumin Seman , Shkumbin dhe kolektorin e Butrintit.
Vetëm për hidrovoret në 2026 fatura arrin në 159 milionë lekë. Me qëllim kryesor rikonstruktimin e 3 hidrovorëve në Durrës dhe një në Orikum dhe të tjerëve që do të kenë nevojë për ndërhyrje. Fond I cili deri në 2028 parashikohet në 700 milionë lekë.
Kjo faturë për emergjencat civile deri në 2028 pritet të arrijë në 2.7 miliardë lekë.
Rreziku që i kanoset ekonomisë nga fatkeqësitë natyrore vitet e fundit po ngrihet si sfidë në shumicën e raporteve të institucioneve të huaja dhe vendase.
Në raportin vjetor 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se më shumë zjarre pritet të shtohen, e po ashtu edhe përmbytjet apo erozionet për shkak të ndryshimeve të forta klimaterike.