E Diel, 1 Nëntor 2026

“Faza fillestare” në Mirditë, zbulohen fidanë kanabisi dhe arrestohet i riu nga Lezha

Policia e Mirditës ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fazë të hershme, gjatë një operacioni të zhvilluar në zonë të pyllëzuar.

Gjatë aksionit u zbuluan fidanë Cannabis Sativa në një miniserë të improvizuar, ndërsa u arrestua autori i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas kontrolleve në terren dhe hetimeve proaktive, zhvilluan operacionin e koduar “Faza fillestare”, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni u përqendrua në konstatimin e rasteve që në fazat e para të kultivimit.

Sipas Policisë, në fshatin Dardhëz, në një zonë të pyllëzuar, u gjet një miniserë e improvizuar me platforma polistiroli.

Në të ishin mbjellë fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nga efektivët.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, në afërsi të vendit ku u zbuluan fidanët u kap dhe u arrestua shtetasi K. Gj., 27 vjeç.

I riu është banues në fshatin Shënkoll, Lezhë dhe dyshohet si autori i kultivimit të bimëve narkotike.

Policia bëri të ditur se kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Operacioni në Mirditë është pjesë e aksioneve të Policisë për goditjen e kultivimit të kanabisit që në fazat fillestare, me fokus zonat e izoluara dhe të pyllëzuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›