E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Federata e Kosovës: Do e apelojmë vendimin e UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv

PRISHTINE, 20 nëntor/ATSH/ Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas vendimit të UEFA-s për të gjobitur Federatën Rumune të Futbollit me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues, pas  thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumunë në ndeshjen e Ligës së Kombeve Rumani-Kosovë.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka marrë vendim zyrtar për që fitorja me rezultat zyrtar 3:0 t’i takojë Rumanisë, derisa Federata e Futbollit të Kosovës është dënuar me 6 mijë euro gjobë për ndeshjen e zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht, por e ndërprerë në minutat shtesë për shkak të fyerjeve ndaj lojtarëve të Kosovës.

“Ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3:0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë”, thuhet në reagim.FFK thotë se Kombëtarja e Futbollit ka vlerësuar saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese.

FFK thotë se tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të pasur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë.

“Ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive. Ky rast nuk është thjesht një sfidë për futbollin kosovar, por një betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij. Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll”, thuhet në reagim.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›