E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fëmija u rikthye në jetë pas ndërhyrjes së mjekëve”, policia del me njoftim zyrtar për aksidentin në Durrës-Tiranë: 1 i vdekur dhe 12 të plagosur

Policia e Tiranës ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me aksidentin e rëndë ndodhur sot në autostradën Tiranë-Durrës, ku një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është aksidentuar.

Policia sqaron se si pasojë ka humbur jetën shoferi 36-vjeçar, Redion Hasimi dhe janë plagosur edhe 12 pasagjerë, mes tyre një fëmijë.

Sa i përket deklaratës së mëparshme të drejtorit të Policisë së Tiranës ku u njoftua për dy viktima, policia sqaron se konfuzioni erdhi për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›