E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomeni El Niño/ Bolivia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

schedule12:31 - 1 Nëntor, 2026

Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të pasojave të mundshme të fenomenit klimatik El Niño, i cili rrit rrezikun e thatësirave dhe përmbytjeve.

Të paktën 78 mijë familje janë prekur tashmë nga thatësira në shtatë nga nëntë rajonet e vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet me fillimin e sezonit të shirave. Vendimi synon mobilizimin e burimeve shtesë dhe ekipeve të emergjencës për të përballuar kushtet ekstreme atmosferike.

Në një mesazh televiziv drejtuar qytetarëve, presidenti Paz deklaroi se autoritetet po bëjnë përpjekje për të minimizuar pasojat e një episodi potencialisht të fuqishëm të El Niño-s dhe për të mbrojtur zonat më të rrezikuara.

Ndërkohë, shqetësimet shtohen edhe për shkak të afrimit të sezonit të shirave, i cili zakonisht zgjat nga nëntori deri në mars. Autoritetet paralajmërojnë se zonat që aktualisht vuajnë mungesën e reshjeve mund të përballen më pas me përmbytje si pasojë e reshjeve intensive.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, fenomeni El Niño pritet të forcohet gjatë javëve në vijim, të arrijë kulmin në dhjetor dhe të vijojë të ndikojë deri në muajin shkurt.

El Niño karakterizohet nga rritja e temperaturës së ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor ekuatorial dhe dobësimi i erërave tregtare. Ky ndryshim ndikon në qarkullimin atmosferik dhe modelet e reshjeve, duke shkaktuar thatësira në disa rajone dhe shira të rrëmbyeshëm e përmbytje në të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›