E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët në Fier, 146 aplikime për kompensimin 10% të TVSH-së në javën e parë të skemës

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi nga Drejtoria Rajonale Tatimore Fier se procesi i aplikimit për kompensimin e fermerëve me 10% të TVSH-së po vijon, ndërsa administrata tatimore është në dispozicion për të ofruar informacion dhe asistencë gjatë gjithë procedurës.

Gjatë vizitës në DRT Fier, Malaj bëri të ditur se në këtë rajon janë 31 274 fermerë të pajisur me NIPT, ndërsa zona ka 122 pika grumbullimi dhe agro-përpunimi.

“Jemi në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier për të ndjekur nga afër ecurinë e procesit të aplikimit për kompensimin e fermerëve. Administrata Tatimore është në dispozicion në çdo drejtori rajonale për të ofruar informacion dhe asistencë gjatë gjithë procesit”, u shpreh Malaj.

Sipas ministrit, nga data 1 korrik deri më 9 korrik 2026 kanë aplikuar 146 fermerë për të përfituar kompensimin e TVSH-së në masën 10%.

“Ky është një aplikim që i adresohet të gjitha shitjeve që kanë bërë fermerët dhe blegtorët gjatë periudhës nga 1 janari 2026 deri më 30 qershor 2026”, tha Malaj.

Ministri theksoi se afati i aplikimeve për fermerët që përfitojnë nga kjo masë mbështetëse është 31 dhjetor 2026, duke nënvizuar rëndësinë e formalizimit të aktivitetit dhe përfitimit nga skema e re e kompensimit.

/e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›