E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët përleshen me policinë, protesta masive në Greqi, autostradat vijojnë të jenë të bllokuara

Fermerët në Greqi nuk e kanë ndalur revoltën e tyre.

Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm në qytetin Heraklion në Kretë, ku protesta mori përmasa të mëdha dhe u shoqërua me incidente të dhunshme.

Situata doli jashtë kontrollit pas vendimit të fermerëve për të bllokuar aeroportin “Nikos Kazantzakis”, një masë që u mor në një takim të zhvilluar herët në mëngjes.

Përpjekja e fermerëve për të çarë barrikadat policore solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat përdorën armë kimike dhe granata zhurmuese për t’i shpërndarë.

Bujqit u kundërpërgjigjën duke qëlluar  me gurë drejt policisë.

Në kulmin e përplasjes, një automjet i policisë  u përmbys nga demonstruesit, ndërsa si pasojë e incidenteve një civil dhe një oficer policie mbetën të plagosur.

Ndërkohë fermerët në zonën e Larisës, e cila shihet si epiqendra e rezistencës së fermerëve vendosën që të nisin edhe bllokimin e rrugëve anësore të qarkullimit.

Në bllokadën e Nikeias rreth 4.000 traktorë qëndrojnë të rreshtuar. Nga ana tjetër, Selaniku është praktikisht i rrethuar nga 4 bllokada rrotull qytetit. Edhe në këtë zonë janë regjitruar edhe përplasje me policinë.

Sakaq, tre bllokime janë realizuar në aksin Athinë–Lamia dhe një e katërt po përgatitet./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›