Fermeri nga Tërbufi rrit prodhimin për eksport me mbështetje nga Skema Kombëtare

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Resmi Yzeiri, fermer nga Tërbufi, prej vitesh është i përkushtuar ndaj bujqësisë duke kultivuar speca për eksport në një sipërfaqe prej 2,7 hektarësh.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit, Anila Denaj e cila ndau historinë e tij, tha se me punë të palodhur dhe standarde të larta prodhimi, ai ka arritur të jetë pjesë e rrjetit të fermerëve që kontribuojnë në fuqizimin e markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare, ndërsa jep një shembull të suksesshëm të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në zonat rurale.
Në rrugëtimin e tij si bujk i specializuar për tregjet e huaja, Yzeiri është një nga përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi.
Kjo skemë ka qenë një shtysë e rëndësishme për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit, duke i mundësuar të modernizojë proceset bujqësore dhe të përmbushë kërkesat e tregjeve të jashtme.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, bëri të ditur ministrja Denaj.
1 nga 5/a.gj/a.f/