E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festa e Shën Marisë, Kryepeshkopi Joan nga Korça: Lutemi për shuarjen e shpejtë të zjarreve

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Besimtarët e krishterë festojnë sot Ditën e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve ortodoksë dhe katolikë.

Në këtë ditë Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, drejtoi liturgjinë Hyjnore në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, Korçë.

Në Liturgjinë Hyjnore që drejtoi Fortlumturia i Tij, por edhe në kishat e mbarë vendit, me vendim të Sinodit të shenjtë të Kishës Ortodokse u shtua një thirrje lutjeje për situatën e rënduar të zjarreve që po kalon vendi: “Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën, për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit”.

Kjo lutje u bë sot në të gjitha manastiret dhe kishat e shumta që mbajnë emrin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në të gjitha dioqezat e Shqipërisë.

Në këtë ditë të shenjtë, besimtarët e krishterë në mbarë vendin i kanë uruar edhe autoritetet e larta shtetërore.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›