Festat e Nëntorit në TKOB, Aulon Naçi tregon programin e këtij muaji

Muaji nëntor në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sjell një program të pasur artistik, ku tradita shqiptare takohet me muzikën klasike dhe krijimtarinë bashkëkohore. Gjatë këtij muaji, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë rreth 20 shfaqje të ndryshme, duke nisur nga premiera e dedikuar kompozitorit George Enescu, performanca e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore me një homazh të veçantë për festat e nëntorit, deri te klasikët e muzikës botërore si Mozart dhe Beethoven.
“Opera më shumë se kurrë ka pasur një larmirshmëri dhe janë 20 aktivitete në muajin nëntor duke u ndalur jo vetëm tek festat kombëtare. Kemi aktivitete pafund, konferenca duke pritur dhe festat e dhjetorit të cilat po afrojnë”, u shpreh Drejtori i TKOB, Aulon Naçi.
Drejtori i TKOB, Aulon Naçi, thekson se aktivitetet nuk do të kufizohen vetëm brenda mureve të teatrit, por synojnë të përfshijnë edhe publikut jashtë kryeqytetit, përmes tureve ndërqytetëse që çojnë artin skenik shqiptar në të gjithë vendin.
“Duke marrë shkak nga fakti që shumë artdashës të qyteteve të ndryshme te Shqipërisë nga nja skaj në tjetrin kanë dëshirë, të mirëpresin me shumë dashuri”, tha ai.
Ky program i pasur e bën nëntorin një periudhë të veçantë për TKOB-in, duke e bërë atë si një qendër të rëndësishme kombëtare të artit skenik, një vend ku ruhet trashëgimia, dhe promovohet krijimtaria dhe ndërtohen ura mes së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes kulturore të Shqipërisë.
/rtsh.al/