Festivali “Ekrani i Artit” hap siparin në Shkodër

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Festivali “Ekrani i Artit” hap siparin në Shkodër.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjete sociale momente nga ceremonia e hapjes, ku ishin të pranishëm personalitete të fushës së artit dhe kulturës. Edicioni i tetë i festivalit nis me temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund” dhe sjell dy ekspozita të rëndësishme që shoqërun premierën në “Kinema Republika”. Deri më 22 qershor Shkodra do të jetë kryeqendër e artit me këtë festival që përfshin projekte filmike, ekspozita, diskutime dhe prezenca artistike në vende të ndryshme të qytetit.Festivali i filmit “Ekrani i Artit”, është një nga eventet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës.
“Ekrani i Artit” ka lindur si një projekt që synon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë. Edhe në edicionet e mëhershme, “Ekrani i Artit” e ka njohur publikun me autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë që zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.
/a.f/