Fier/ Urgjencat plot, dhjetëra të rinj përfunduan në urgjencë pasi u intoksikuan nga alkooli

Dy netët e para të vitit të ri janë shoqëruar me fluks të rinjsh në urgjencat e spitaleve të Fierit. Vetëm në Fier gjatë natës së nderimit të viteve dhe asaj të datës 1 janar, janë paraqitur në urgjencë 30 shtetas, kryesisht adoleshentë dhe të rinj. Burime nga urgjenca e spitalit te Fierit sqaruan se të gjithë pacientët me intoksikim nga alkooli janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën mjekësore. Festimet në Fier ndërkohe kanë çuar në spital edhe tre të rinj të tjerë që pësuan djegie nga lëndët piroteknike. Nga fishekzjarrët në Fier u dogjën edhe dy automjete në lagjen “Kastriot”.
Ndërkohë ndërrimi i viteve në maternitetin e Fierit shënoi lindjen e dy djemve, i pari 5 minuta pas orës 12:00 kurse foshnja e dyte rreth orës 12:25 minuta.
Në Fier ndërrimi i viteve u prit me shfaqje dhe koncert në sheshin qendror ku qindra qytetarë pritën vitin e ri pavarësisht temperaturave të ulëta që shkuan deri në minus 5 gradë celcius.
/RTSH/