E Diel, 1 Nëntor 2026

Filo: Situatë e jashtëzakonshme atmosferike, dëme minimale falë menaxhimit të mirë

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, bëri të ditur se gjatë javës së fundit qyteti u përball me një situatë të jashtëzakonshme atmosferike, ku në vetëm katër ditë ranë rreth 370 mm shi.

Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet ishin: e martë 38 mm, e mërkurë 159 mm, e enjte 85.6 mm dhe e premte 85.8 mm, që përbën rreth 50% të reshjeve vjetore mesatare në rajonin e Korçës.

Megjithë këtë sasi ekstreme, kryetari Filo theksoi se dëmet në territor kanë qenë minimale, një arritje e mundur falë punës periodike për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanaleve kulluese, si dhe reagimit të shpejtë në ditët kritike.

“Kjo situatë do të kishte shkaktuar dëme të jashtëzakonshme pa përgatitjen dhe punën e bërë paraprakisht. Falënderoj të gjitha ekipet e bashkisë dhe qytetarët për bashkëpunimin, përgjegjshmërinë dhe angazhimin e treguar gjatë këtyre ditëve”, u shpreh Filo.

Ky menaxhim i mirë i situatës tregon rëndësinë e parapërgatitjes dhe koordinimit ndërinstitucional në përballimin e situatave emergjente natyrore.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›