E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fitojnë Partizani e Dinamo, Teuta barazon me Elbasanin

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ U luajtën sot tri ndeshjet e para të Javës së 14-të të kategorisë “Abissnet Superiore”, ku spikati fitorja tenistike e Dinamo City-t ndaj Tiranës 6-2.

Partizani arriti një fitore të çmuar 1-0 në shtëpi përballë Bylisit. Golin e vetëm të takimit e shënoi Kotreras në minutën e 72-të.

Në “Niko Dovana” vendasit barazuan pa gola me kryesuesit e tabelës, AF Elbasanin. Vendasit prodhuan më shumë raste teksa portieri i skuadrës mike, Janaçek shpëtoi disa herë portën. Gjithashtu edhe verdheblutë krijuan raste, por pa konkretizuar.

Në “Air Albania”, Dinamo ka dhuruar një leksion të mirë futbolli në derbin përballë Tiranës, duke fituar me shifrat 6-2 (5′ Guindo, 11′, 61′ Qardaku, 25′, 67′ (p) Bregu, 47′ Vila / 40′ Rafael, 76′ Tare) dhe duke shfaqur diferencën e thellë që ka mes dy skuadrave që luftojnë për objektiva të kundërt këtë sezon. Blutë ishin të pamëshirshëm që në start duke diktuar ritmin e tyre me tri gola të njëpasnjëshëm të Guindo, Qardakut e Bregut, teksa bardheblutë dukeshin të kapitulluar. Goli i Rafael dha një sinjal para pushimit, por me kthimin e ekipeve në fushë, erdhi edhe goli i katërt i Dinamos me Vilën që praktikisht shuajti shpresat e bardhebluve për ta kthyer rezultatin.

Përsëri Qardaku e më pas Bregu me një penallti të përsëritur çuan në 6 numrin e golave për “nëndetësen”, ndërsa Tare nga ana tjetër tundi rrjetën sa për statistike. Shifrat mund të ishin më të thella, por në fund Vila shpërdori një penallti për golin e dytë personal dhe takimi u mbyll “vetëm” 6-2.

Java e 14-të do të mbyllet nesër me dy përballje: Egnatia-Flamurtari dhe Vora-Vllaznia, të dyja do të luhen në orën 16:30.

Elbasani renditet përkohësisht në krye të klasifikimit me 26 pikë, një pikë larg Egnatias dhe dy pikë larg Vllaznisë (me nga një ndeshje më pak). Katërshen e parë e mbyll Dinamo City me 23 pikë. Teuta renditet e pesta me 22 pikë, Partizani 17, Vora 15, Bylisi 13, Flamurtari 10, Tirana 7 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›