E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitorja ndaj Sllovakisë, Murati: 500 mijë euro shpërblim për “Dardanët”

PRISHTINË, 27 mars /ATSH/ Fitorja e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë do të shpërblehet edhe financiarisht nga institucionet shtetërore. Ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati ka bërë të ditur se Qeveria do të procedojë me vendimin për ndarjen 500 mijë euro për “Dardanët”.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, ai theksoi se, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, vendimi për ndarjen e 500 mijë eurove do të jetë gati për miratim në mbledhjen e radhës së Qeverisë, të hënën.

“Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, shkroi Murati.

Ky shpërblim vjen si vlerësim për suksesin e madh të Kombëtares së Kosovës, e cila me fitoren e fundit ka bërë një hap të rëndësishëm drejt objektivit historik në arenën ndërkombëtare.

Në finale, e cila do të zhvillohet të martën, Kosova do të ballafaqohet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›