E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fituesit e maratonës “Prishtina”

PRISHTINË, 28 shtator/ATSH/ Maratona Prishtina që sivjet mbajti edicionin e 25-të, ishte e ndarë në 10 kategori me rreth 1800 garues në total.

Në garë, përveç qytetarëve të Kosovës, morën pjesë edhe garues nga Evropa dhe bota. Fituesit e maratonës së plotë 42 km ishin nga Kenia. Shedrack Kiptoo Kimaiyo, Benard Kiprotich Too dhe Kennedy Kipkemoi Rono ishin tre vendet e para në kategorinë maratonë-meshkuj.

Edhe në kategorinë maratonë-femra, Chelangat Sang, Rose Jepchumba dhe Lina Kaion ishin në tre vendet e para po ashtu nga Kenia. Ata ishin të kufizuar të flasin, pasi menjëherë pas garës shkuan për t’i bërë testet anti-doping.

Garues në Maratonë ishte edhe kryetari i Alancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se tradicionalisht çdo vit merr pjesë në këtë garë.

Micha Noe, një garues nga Gjermania tha se pretendon të marrë pjesë edhe në maratonën në Tiranë dhe se do të marrë pjesë edhe vitin tjetër nëse gjendet në Prishtinë në atë kohë.

Kurse, Erzen Zeberaj, kampion i Kosovës në vrapime malore, distanca të gjata, tha se edhe pse nuk është disiplina e tij, ai prapë ka dëshirë të vrapoj këtë maratonë.

Çmime po ashtu do të ndahen edhe për tetë kategoritë tjera; Gjysmë maratonë- femra, gjysmë maratonë-meshkuj, 10 km-femra, 10 km-meshkuj, 5 km-meshkuj, 5km-femra dhe kategoria PAV, për persona me aftësi të kufizuara- meshkuj dhe PAV-femra.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›