E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike i njohu deputetët me vizitën e tij një ditë më parë në qarkun e Dibrës. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në vizitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në Shqipëri, Stefano Sannino.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Dua të ndalem në disa çështje që unë konstatova, së bashku me deputetët e Dibrës gjatë vizitës dhe takimeve që pata dje në këtë rreth.

Së pari, dua t'u informoj për një investim thelbësor që po ndodh në Dibër dhe në mbarë vendin me infrastrukturën.

Unë mund t'ju them, se në rast se mandati i parë u dominua nga "Rruga  e Kombit", ky mandat do të vijohet nga “rruga e qytetarit”, në kuptimin që, e para është e vërtetë pasi kombi është i pari, por dhe e dyta është po kaq e vërtetë sepse po çojmë rrugët tek çdo qytetar.

Ishte një kënaqësi e veçantë të shkoje në Zerqan, një nga fshatrat më të bukura, me një rrugë të standardeve evropiane. Ndihej në çdo fytyrë, në çdo pamje, gëzimi por edhe  krenaria e banorëve të Zerqanit, të cilët më informuan se që kur është ndërtuar rruga, jo të paktë janë zerqanasit që po fillojnë të rindërtojnë shtëpitë e vjetra aty, apo po ndërtojnë shtëpi të reja, nga Tirana. Natyra i ka dhënë Peshkopisë aq sa mund t’i japë ajo një vendi. Rruga transformonte jetën e 4 mijë banorëve.

Më pas vazhduam me inaugurime të tjera. Ishin 6 projekte të fshatrave të tjera, Kastriot, Kovashicë, etj. Gjatë qëndrimit të shkurtër por shumë intensiv, ajo që më bëri përshtypjen më të madhe ishte ishte optimizmi i atyre njerëzve. Unë u flisja për rrugën, ata më flisnin për turizmin, për drurët frutorë, për baçet e pemishtet që kanë mbjellë e do mbjellin. Autoritetet vendore më informuan se ka shpërthyer një pasion i madh për arrat. Peshkopia është vendi i mollës dhe qershisë të cilësive më të mira në Evropë, por është dhe një vend i shkëlqyer për arrat.

Unë u takova edhe me qeveritarët vendorë të të gjithë spektrit. Dua t’i përshëndes  secilin prej tyre për mënyrën e përgjegjshme se si ata përcollën shqetësimet e komunitetit, por edhe sensin pozitiv në të gjitha rastet. “I përkas partisë tjetër dhe jam në mandatin e tretë” do më thoshte një kryetar komune, - “por unë jam krenar me ato që qeveria juaj më ka bërë të mundur të investoj në komunën time”- dhe vijonte të numëronte çfarë kishte realizuar.

Natyrisht, së bashku me deputetët, ne i dëgjuam të gjitha problematikat e tyre, jo të pakta por të zgjidhshme. Kam shkuar shumë herë në Peshkopi dhe shkoj me kënaqësi sepse ata që kanë qenë në Peshkopi e dinë që aty  gjen  rrafshnaltën më të bukur, e rrethuar me male, është një rrafshnaltë e mrekullueshme. E vërteta është se kësaj radhe gjeta një Peshkopi tjetër, nga çdo zemër, nga çdo shpirt, nga çdo mendje e tyre buronte vetëm një thirrje “”Rruga e Arbrit”. Po të shkosh në Peshkopi nuk ka si të mos të të burojë ajo fjalë, sepse ajo rrugë e afron dhe e sjell Bulqizën afër Tiranës, njësoj si Shijaku. Sot, për të shkuar në Bulqizë, mua me eskortë më duhen 2 orë rrugëtim, të tjerëve u duhen 3 orë. Ndërsa në Rrugën e Arbrit, Bulqiza vjen në distancën e Krujës e të Shijakut. Nuk ka ëndërr më të drejtë, më legjitime. Kjo ishte dëshira e tyre e madhe.

Unë i garantova se qeveria do të bëjë gjithçka për ta shndërruar këtë ëndërr shekullore në realitet dhe se po ecim me ndërtimin e saj, si nga drejtimi i Tiranës ashtu edhe nga Bulqiza. Rruga ka lëshuar shtat pothuajse deri te Qafa e Vashës. Edhe nga Tirana ka ecur deri në Qafë Murriz. Mbetet tashmë ura dhe tuneli. Janë tre tunele që ndryshojnë në mënyrë përfundimtare në shekuj dhe mijëvjeçarë këtë vend; Tuneli i Kalimashit, tuneli i Elbasanit, tuneli i Qafë Murrizit. Imagjinoni qytetarin të niset nga  Kalaja e Dodës e të mbërrijë në Tiranë për 1 orë e gjysmë. Nuk ka për të arritje më të madhe.

Dua t’ju përshkruaj një moment tjetër nga ky udhëtim, nga më mbresëlënësit në jetën time, që ishte udhëtimi Peshkopi - Kukës. Nuk kisha plan, por vendosa të shkoj e ta bëj këtë rrugë. Kisha informacionin që punimet e saj kishin ecur, por nuk e dija tamam fazën e tyre. U ndala në Kalanë e Dodës. Dua t’ju rrëfej të vërtetën se rrallë ndonjëherë njeriu mund të shohë një pamje të atillë dhe të ndjejë atë që përjetova unë dje. Ata janë njerëz të mrekullueshëm. Nuk ka njerëz më punëtorë se ata në Shqipëri. Burrat e Kalasë së Dodës janë absolutisht njerëzit më punëtorë që ekzistojnë. Por zona ka qenë më e izoluara, tmerrësisht e izoluar, për shkak të pozicionit gjeografik. U ndala aty në fshat ku u grumbulluan disa banorë dhe unë po diskutoja me ta. Ndihej gëzimi i papërmbajtur për rrugë e re, pasi thoshin se na duheshin 7- 9 orë për të ardhur në Tiranë, ndërsa tani zbresim për 2 orë. Më bëri përshtypje të madhe gëzimi i tyre i ligjshëm dhe ata e meritojnë plotësisht atë rrugë.  Rruga po përfundon, ajo është 63 km e tëra dhe kishin mbetur vetëm fare pak kilometra. Natyrisht kishte punime që duheshin plotësuar, por rruga ishte e standardeve më të mira. Dua t’ju them se nga ajo rrugë nuk të kap syri kurrë pamje më të bukur, Korabin. Nuk është vetëm mali më i lartë i Shqipërisë, por në ndërtimin e tij është edhe më njerëzori. Është shumë interesant. I gjithës ai masiv nga Shishtaveci në Korab përbën në mënyrë absolute potencialin më të jashtëzakonshëm turistik, dimëror dhe veror të vendit. Shishtaveci, Kroi i Bardhe dhe e gjithë pllaja e tjetër e malit, pra aty gjendet një potencial, të cilin po të më pyesnin se me kë do e krahasoja, do të thosha me Jonin, klimë malore dhe ajër deti, një potencial i pafundmë, ku mund të ngrihen resortet turistike më të bukura, pistat e skive më të mrekullueshme. Pra, pashë realisht, një mrekulli të vërtetë natyrore. Natyrisht, rruga është kushti i parë i shfrytëzimit të saj. Ne po ecim drejt Shishtavecit dhe kapim si Shishtavecin që është një zonë e shkëlqyer skish, po ashtu edhe Kroin e Bardhë,i cili do edhe një rrugë dhe të tjerë me radhë.

Mendova të ndaja me ju, mbresat, ndjesitë shumë të thella të mesazheve që jep Peshkopia, mesazhe të një optimizmi, vullneti dhe besimi. Të njëjtën gjë gjeta unë në Labinot-Mal, ku në lartësinë  800-900 metra ndërtonin banesa të reja, dëshmi e  besimit për fshatin e tyre, për zonën e tyre. Ndaj dhe njëherë shfrytëzoj rastin për të siguruar të gjithë banorët  e zonave malore, se qeveria do të bëjë gjithçka që potencialet e tyre turistike të shndërrohen në vlera për ata dhe mbarë Shqipërinë.

Gjithashtu desha tu informoj, megjithëse kemi informuar edhe më parë, mbi vizitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në Shqipëri, Stefano Sannino. Kjo vizitë ishte në kuadrin e përpjekjeve të Komisionit Evropian për të ndihmuar Shqipërinë, për të kapërcyer situatën dhe unë edhe njëherë e garantova se ne jemi të gatshëm të ulemi menjëherë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë gjerësisht me OSBE/ODIHR, me Komisionin e Venecias dhe opozita në këtë komision do të ketë të drejtën e vetos, pra siç ka kërkuar edhe vetë në kushte të partneritetit të plotë. Në kuadrin e rekomandimeve, ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin e opozitës  dhe forcave të tjera politike, për zgjidhjen më të plotë dhe më të mirë të rekomandimeve të bëra. Ky është angazhimi ynë. Unë nuk kam nënshkruar asnjë qëndrim, por përsëri e theksoj që në rast se zoti Rama dëshiron, le ti hartojë të gjitha amendamentet vetë me grupin e tij, ti dërgojë në Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR , të marrë viston prej tyre dhe ne absolutisht do ti pranojmë, sepse jemi shumë të sigurtë se Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR do të mbrojnë standardet ndërkombëtare, do të rekomandojnë standardet ndërkombëtare. Kjo është ajo çka ne mund të ofrojmë. Shpresojmë që edhe opozita të vlerësojë. Edhe ne i kemi vlerësuar seriozisht propozimet e saj, sikundër për rregulloren e Parlamentit ne jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë punën, bazuar në rregulloren e Parlamentit Evropian. Ne kemi një dokument bazë dhe kjo është rregullorja  e Parlamentit Evropian, e cila paraqet esencën kryesore të vlerësimit, respektit, të përfaqësuesve të kombeve të Evropës, ndaj ne , nuk kam as edhe një kundërshtim, që nen për nen ta modelojmë rregulloren e Parlamentit tonë me rregulloren  e Parlamentit Evropian. Shpresoj që edhe opozita të pranojë dhe të ulemi sa më shpejt, të hapim shtegun e këtyre reformave që janë shumë të rëndësishme për vendin.

Ndërkohë, mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri që në të vërtetë meriton titullin “ Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, e ka gjithnjë një kthim tek libri” Kur lindi partia”, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashkinë  e Tiranës”, libri rezulton që është i tëri, një vaje për bashkinë  e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë, totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. Libri hapet me epitafin “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e bashkisë, mbeçë”. “Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia sepse më iku bashkia”. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër, ky zotëri. Njëherë mendova se mos ndoshta, ky do të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij, sa kjo dhomë, që edhe po ti kishte Blushi tre jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin - thotë ai- shkruajnë , - “ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time.”

Të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra, “Mbeçë more shokë mbeçë , tek dera  e bashkisë, mbeçë”. Këtë zgjodhi ai për epitaf.


24/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›