Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Zonja deputete
Zotërinj deputetë
Zonja Kryetare e Parlamentit
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë që takohem me ju, pasi ka pasur një lloj ndërprerje për disa shkaqe objektive, udhëtimesh dhe festash dhe dëshiroj t’ju informoj shkurtimisht mbi vizitën time në Paris dhe për pjesëmarrjen në Kongresin e XX- të Partisë Popullore Europiane (PPE) në Marsejë.
Së pari, unë dua të falenderoj shumë përzemërsisht qeverinë franceze, kryeministrin Francois Fillon, ministrin e energjisë Eric Besson, autoritetet e tjera dhe miq në Paris, të cilët më rezervuan një pritje të shkëlqyer dhe bënë të mundur realizmin e plotë të qëllimeve për të cilat unë shkova në Paris.
Marrëdhëniet politike midis dy vendeve tona janë shumë të mira, shumë të shkëlqyera. Franca është një vend, e cila ka mbështetur fuqishëm dhe mbështet aspiratën e shqiptarëve për integrime euroatlantike dhe europiane. Franca është promotor kryesor i proceseve integruese, për të cilat diskutuam gjërësisht më kryeministrin Francois Fillon, ku unë e garantova dhe njëherë, se për qeverinë time ky proces është dhe do të mbetet tërësisht i bazuar në meritë dhe se për shqiptarët procesi i integrimit europian në Bashkimin Europian, duhet të jetë një proces kryekëput i bazuar në meritë dhe se nga ana tjetër qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur me seriozitetin më të madh të gjitha kërkesat, normat, standardet, praktikat e domosdoshme për procesin e integrimit.
E njoha me bllokimin që i bëri opozita shqiptare, në një rast unik në Europë këtij procesi, për dy vite me radhë, duke mos votuar ligjet me 3 /5 në Parlament, me idenë absurde se më ketë mënyrë do të mund të dëmtojë qeverinë, por dëmtoi thellësisht statusin dhe bllokoi faktikisht, për dy vite më radhë marrjen e statusit. Sikundër e njoha kryeministrin Fillon me zhvillimet e fundit në Shqipëri, në të cilat janë krijuar komisione dhe opozita tani punon normalisht në Parlament. Shpreha vendosmërinë time për të pranuar të gjitha propozimet e tyre që marrin miratimin e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, por që ky variant ra, sepse në vend të tij u miratua nga opozita një komision tjetër bipartizan për reformën zgjedhore me praninë e OSBE/ODIHR-it, sikundër e sigurova se përfaqësuesit tanë, në Komisionin e Venecias dhe në sesionin e ardhshëm do të mbështesin sugjerimet e çmuara të raportit të tyre mbi reformën zgjedhore.
Në takim diskutuam gjërësisht mbi përpjekjet tona të përbashkëta për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, kulturore dhe në të gjitha fushat e tjera. Është fakt që vlerësohet shumë pozitivisht se kompani të mëdha franceze, banka, e kompani të tjera, janë të pranishme në Shqipëri. Suksesi spektakolar i Carrefour, dëshmon për mikpritjen e shqiptarëve ndaj kompanive dhe investimeve franceze, por e vërteta është që hapësira për këto investime në fushën e energjisë, në fushën e turizmit, në fushën e minierave, manifakturës, janë shumë të mëdha.
Kryeministri Fillon më garantoi, se ai do të bëjë gjithçka për inkurajimin, nxitjen e investimeve franceze në Shqipëri, në këto fusha dhe fusha të tjera. Kryeministri shprehu vlerësim të madh, për modelin ekonomik të Shqipërisë dhe funksionimin e saj, rritjen ekonomike dhe parametra të tjerë të veçantë, çka përbëjnë një premisë shumë të rëndësishme për të inkurajuar investitorët franceze, për të investuar në Shqipëri. Në këtë takim unë e ftova kryeministrin Fillon të vizitojë Shqipërinë dhe e pranoi ftesën me kënaqësi të veçantë dhe më garantoi se do të vijë në Shqipëri.
Në takim gjithashtu, u vendos të shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, kulturës, arsimit dhe të gjitha fushat , e njoha me të dyja projektet kombëtare madhore të pyllëzimit me dru frutorë të Shqipërisë dhe mora siguri se Franca do të na asistojë me agjensitë e saj me këto projekte. Një takim të veçantë dhe të rëndësishëm pata dhe me ministrin e Energjisë Besson, një mik i shquar i shqiptarëve, i cili siç dihet në kohën e liberalizmit të vizave ka qenë ministër i Emigracionit dhe ka mbështetur plotësisht procesin e liberalizmit të vizave me Shqipërinë, kurse tani ka portofolin e energjisë dhe industrisë, portofol i gjerë në qeverinë Fillon.
Diskutuam gjërësisht mbi investimet e mundshme franceze në fushën e energjisë, e njoha ministrin me hollësi me potencialet e mëdha të energjisë së rinovueshme të vendit tonë, energjisë ujore, energjisë së erës, diellit, energjisë gjeotermike, biomasë. Pra Shqipëria, ka ambicien e saj për tu shndërruar në një superfuqi të vogël energjitike të energjisë së rinovueshme në rajon. Ministri, tregoi interes shumë të madh, për pjesëmarrjen e kompanive franceze në projektet e energjisë së rinovueshme, disa prej të cilave po marrin pjesë të tjera janë të gatshme të marrin pjesë. Më garantoi se, ai do të bëjë çmos për të inkurajuar investitorët franceze, madje me një grup të gjerë të tyre do të vijë personalisht në Shqipëri, për të vizituar Shqipërinë dhe për të inkurajuar këta investitorë. U diskutua me ministrin Besson, për bashkëpunim në fushatë e industrisë në fushë n e prodhimit, në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes reciprok.
Gjatë qëndrimit pata dhe mundësi ti adresohem publikut francez dhe publikut frankofon kudo në botë, me rrjetin televiziv francez më të shikuar në botë, siç është TV5 Monde, si dhe me mediat e tjera të këtij vendi. Edhe njëherë dua të falenderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore kryeministrin Fillon, ministrin Besson, por dhe ambasadorët, zonjën ambasadore të Francës në Shqipëri dhe ambasadorin e Shqipërisë në Paris, për organizimin e shkëlqyer të kësaj vizite.
Në Paris unë erdha nga Marseja, ku u zhvillua Kongresi më i rëndësishëm në historinë e Partisë Popullore, Kongres, të cilin Presidenti Nikolas Sarkozi, do ta deklaronte sëbashku me spiker të tjerë, si Kongres rithemelues të Europës, pasi ky Kongres, parapriu Samitin e Brukselit, ku u vendos dhe firmosja midis qeverive të zonës euro të një traktati të ri ndërqeveritarë, traktat i cili përbën bazat e financave të këtij shekulli për Bashkimin Evropian, zonën e euros, vendeve të tjera anëtare, por të gjithë ata që aspirojnë për në Bashkimin Europian. Natyrisht ky traktat dhe kjo marrëveshje që u bë u votua në Bruksel, por e vërteta është që në tërësi ajo u vendos në Marsejë në Samitin e liderëve të PPE, ku janë rreth 17 kryeministra dhe president. Në këtë Samit, gjërësisht u diskutua mbi domosdoshmërinë dhe emergjencën për ti dhënë një përgjigje të fuqishme tronditjes së madhe, që ka marrë besueshmëria tek euro dhe sistemi monetar kryesor i Bashkimit Evropian. Kjo lëkundje e madhe e besueshmërisë në euro, theksuan Presidenti Sarkozi dhe Kancelaria Merkel kërkon një përgjigje të fuqishme.
Në Samit dhe jashtë Samitit unë pata rastin të takohem me të gjithë të pranishmit, një e nga një dhe shkurtimisht i informoj mbi zhvillimet në Shqipëri, pro dhe të diskutoj mbi bashkëpunimin bilateral. Kërkova , mbështetje dhe inkurajim të investitorëve të tyre në fushën e energji dhe mund t’ju them se disa gjëra tashmë janë bërë të njohura kudo, është bërë i njohur kudo suksesi i modeli ekonomik të Shqipërisë , është bërë i njohur kudo potenciali i saj, i jashtëzakonshëm energjetik, është bërë i njohur për mirë dhe shumë mirë potenciali i saj i jashtëzakonshëm turistik. Të gjitha këto sëbashku janë çështje kryesore në axhendën e bisedimeve të mia me homolog dhe kolege të mi në Marsejë, në këtë qytet historik me një histori ndër më të pasurat në Europë.
Në hapjen e Kongresit, një nga spikerët, pata fatin të jem dhe unë dhe aty unë parashtrova arritjet e Shqipërisë, përshkrova "quantum leap", që bërë Shqipëri në këto vite, e bazuar në parimet e qendrës së djathtë parime të cilat janë dëshmuar shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dua t’ju garantoj se pritja ishte e jashtëzakonisht e ngrohtë dhe miqësore ndaj asaj ekspozeje që unë bëra për suksesin e Shqipërisë bazuar në zbatimin rigoroz të politikave dhe parimeve, vlerave që ndajnë partitë e qendrës së djathtë, taksat e ulta, qeveria e vogël, qëndrimi liberal ndaj ekonomisë, privatizimi, liberalizimi, pra këto parime të çmuara, morën vlerësime shumë të mëdha në atë audiencë të nderuar.
Gjatë qëndrimit pata dhe një takim të veçantë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe kryetarin bashkisë së Prishtinës zotin Isa Mustafa dhe zotin Sabri Hamiti, të cilët ishin të ftuar në Kongres. Diskutuam gjërësisht mbi bashkëpunimin midis dy vendeve dhe dy forcave tona politike, në frymën më vëllazërore.
Në Samit, Presidentit Martens, kryetari i Grupit Parlamentar Jozef Daul, udhëheqës të tjerë të Partisë Popullore Evropiane, grupet parlamentare, treguan një vlerësim të madh për përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike në ndërtimin e vlerave të përbashkëta. Pata rastin të takoj shumë miq gjatë seancave, drekave dhe takimeve të tjera, dhe në darkë isha nga të ftuarit e nderit të presidenti Martens, të cilit unë dua ti shpreh mirënjohjen më të thellë, falënderimin më të përzemërt për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj në Shqipëri.
Ky ishte udhëtimi për të cilin unë desha t’ju informoj dhe në këtë udhëtim, por dhe udhëtime të tjera, për të cilat unë në mënyrë të përsëritur unë ju kam informuar ju dhe publikun, konstatoj se ka një interes shumë të madh për Shqipërinë, ka një vlerësim shumë të madh për modelin e saj ekonomik, për potencialet e saj energjitike turistike dhe investimet në tërësi.
Faleminderit
12/12/2011