E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike të Durrësit

Të dashur delegatë të Partisë Demokratike të Durrësit, të mbledhur sot në këtë konferencë paraelektorale.

drejtues të PD-së së Durrësit,

ministra, deputetë, qeveritarë vendor

Së pari, në emër tuaj, dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Durrësit, t’i uroj përzemërsisht durrsakët, të cilët, katër vite më parë, me votën e tyre u shndërruan në një faktor madhor të reformave dhe transformimeve të mëdha, u shndërruan në një faktor madhor të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe përparimit të saj drejt Bashkimit Europian.

Dua të përshëndes të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e PD-së të Durrësit, por së bashku me gjithë qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, ne ndajmë këto ditë gëzimin, krenarinë,  ndajmë përgjegjësitë, sepse në datën 4 prill shohim të realizuar projektin tonë ëndërr, projektin që Durrësi në shekuj e mijëvjeçarë e mbrujti, projektin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e kombeve të qytetëruara, projektin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Qyteti i Durrësit mbeti, në shekuj e mijëvjeçarë, kryeurë e lidhjes së kombit me kombet e qytetëruara. Pas shekujsh, ky qytet sheh veten dhe vendin e tij të vendosur në gjirin e familjes së kombeve që ne u takojmë. Theksoj sërish se qytetarët e Durrësit meritojnë një mirënjohje të thellë, sepse, që në fillimin e ndryshimeve të para, deri në realizimin e këtij projekti ëndërr, ata qenë në krye të përpjekjes sonë për arritjen e këtij objektivi madhor historik.

Anëtarësimi në NATO është për shqiptarët akti më madhor në historinë e tyre, pas shpalljes së pavarësisë. NATO është faktuar si mburojë e lirisë së kombeve të qytetëruara.

Sot, ne mblidhemi këtu, natyrisht, për të bërë analizën e punë sonë, por mblidhemi gjithashtu për të përcaktuar vizionin tonë për Durrësin e katër viteve që vijnë, Durrësin, anëtare të NATO-s, Shqipërinë anëtare të NATO-s.

Ne dalim në këtë fushatë elektorale, para zgjedhësve shqiptar me një program të ri, program transformimesh të mëdha, me një program që do të shndërrojë Durrësin dhe mbarë Shqipërinë në vendin e ritmeve  më të shpejta të zhvillimit.

Këto katër vite ishin vite të transformimeve të thella. Lufta jonë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, çmontimi me shpejtësi i 260 grupeve kriminale dhe organizatave të krimit, bëri të mundur që në Shqipëri të sundojë ligji dhe jo bandat, bëri të mundur që Shqipëria të ketë treguesit e kriminalitetit qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Kjo luftë bëri të mundur që vitin e kaluar, Shqipërinë ta vizitojnë 2.7 milionë vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë që hynin në kufijtë tanë në vitin 2004, ose që Shqipëria të dalë nga harta si rrugë kryesore e drogës. Kjo luftë bëri të mundur që qytetarët shqiptarë të zhvillojnë të qetë veprimtarinë e tyre të biznesit.

Lufta kundër krimit të organizuar është një luftë e pandërprerë. Zero tolerancë do të jetë sërish qëndrimi ynë. Ne kemi arritur vërtetë të kemi tregues kriminaliteti nën mesataren e BE-së, por  ne do të synojmë të arrijmë treguesit më të ulët të BE-së në këtë drejtim.

Zonja dhe zotërinj,

Ne vijmë sot në këtë konferencë me një bilanc të ndershëm ndryshimesh të mëdha. U zotuam para jush për “duar të pastra” dhe unë e di që janë jo të paktë qytetarët shqiptarë që sërish sot përballen me korrupsionin. Por unë i ftoj ata të mos tërhiqen, sepse ky vend, ishte katër vite më parë në 24 vendet më të korruptuara të planetit, kurse sot ka lënë pas 95 vende. Unë ju jap fjalën qytetarëve të Durrësit se sërish qëndroj në këto objektiva, se luftën pa kompromis dhe me vendosmëri të plotë kundër këtij kanceri të shoqërisë, do ta vazhdoj me të gjithë forcën e ligjit. Babëzia është shtylla e turpit, është shtylla e fatkeqësive të mëdha. Kriza botërore e sotme ka një faktor kryesor dhe ky faktor është babëzia. Nuk ka nevojë të nxjerrim mësime nga të tjetër, ne duhet të nxjerrim mësime nga jeta jonë e përditshme.  Ne do duhet të punojmë që të ngushtojmë çdo ditë e më shumë hapësirat për korrupsionin dhe të korruptuarit.

Por, nuk mund të mohojmë kurrë rezultatet tona. Katër vite më parë, qeveria dhe administrata e vendit shpenzonte 3.2 për qind të GDP-së si shpenzime operative të saj. Sot ajo ka një nga përqindjet më të ulëta në Europë dhe shpenzon vetëm 2 për qind, për vete dhe administratën.

Nëse qeveria e mëparshme ishte e mbushur me konflikte interesi, - ministri  Duka mbante monopolin e ushqimeve, tjetri të naftës, e kështu me radhë -,  sot në administratë vërtetë ka të korruptuar, por nuk ka ministër a zyrtarë që mbajnë monopolet private të tregtisë së tyre. Kjo përbën një diferencë si nata me ditën.

Sot sërish qytetarët përballen me korrupsionin, por duke filluar nga marsi, taksat do të paguhen lehtësisht dhe nuk do të ketë më pazare mes taksambledhësit dhe taksapaguesit. Ne e filluam nga një janari i vitit të shkuar  me vendosjen e prokurimeve elektronike. Të gjithë tenderët nuk bëhen më me praktika manual, por që të gjitha elektronike.

Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet një përparësi madhore e jona. Në katër vite, ju keni parë që janë penalizuar mbi 140 zyrtarë. Unë ju jap fjalën se, për aq kohë sa të qeverisim ne, do të bëjmë çdo përpjekje për të  vendosur para ligjit këdo që kërkon të mbushë xhepat me paratë tuaja.

Por sot, pas katër vitesh, ne ia kemi dalë  me këtë betejë të krijojmë për ju, të kursejmë për ju, të kemi për ju disponibël mbi 4 miliardë dollarë , me të cilat ne kemi bërë rritjen më të madhe të rrogave në Europë e më gjerë. Kemi rritur rrogën mesatare të administratës me 68 për qind, dyfishuar rrogat e arsimtarëve, në një maj dyfishojmë rrogat e mjekëve, në 1 maj dyfishojmë pensionet në fshat, ndërkohë që pensionet në qytet i rrisim nga 48 – 70 për qind, në 4 vjet.

Në këtë luftë kundër korrupsionit, ne ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në një kantier të vërtetë ndërtimi, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Me këtë luftë kundër korrupsionit, ne ia dolëm të bëhemi një vend krejtësisht tjetër, të kuotohemi vitin e kaluar, si qeveri të cilën ju e votuat, kampione në luftën kundër korrupsionit.

Këto janë afirmimet e institucionit më të rëndësishëm të vlerësimit të kësaj lufte, Transparence International. Në këtë luftë ne lamë pas 95 vende, por kemi para 93 vende. Ndaj ka vetëm një alternativë; ta vazhdojmë këtë luftë, të mos kthehemi pas, sepse pas na pret fundi në ferrin e Dantes, në sistemin e kleptokracisë. Ne e provuam atë.

Është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Vendet anëtare dhe vendet e Aleancës nuk do të votonin në asnjë rrethanë, në parlamentet e tyre, protokollin e anëtarësimit të një vendi që rreshtohej në 24 vendet më të korruptuara. Jo dhe jo! Ata do të kishin turp t’ua paraqisnin parlamenteve për ratifikim një protokoll të një vendi të tillë.

Ne dëshmuam seriozitet, përkushtim dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë fuqimisht në këtë linjë. Ndaj dhe, ata të cilët janë të interesuar të vazhdojmë betejën kundër korrupsionit, me suksese edhe shumë herë më të mëdha, ata të cilët janë të interesuar që ta shohin Shqipërinë gradualisht të lerë pas 100-150 vende, le të vazhdojmë rrugën së bashku. Kjo është rruga e luftës kundër korrupsionit. Ne zotohemi se, me dorë të hekurt, me forcën e ligjit, do të shtyjmë përpara këtë luftë në të mirë të të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë.

Qytetarë të Durrësit, të nderuar delegatë,

Ne sot shkojmë drejt mandatit të dytë, pasi Shqipërinë, atë vendin që e përçmuan, e braktisën, e bojkotuan nga biznesi ndërkombëtar, e kemi shndërruar sot në një nga vendet më tërheqëse të biznesit ndërkombëtar në rajon e më gjerë. Ju jeni dëshmitarë se gjatë muajve të fundit, mediat më serioze në botë kanë cilësuar Shqipërinë  si vendin më të sigurt për investimet, vendin të tërheqës, si vendin ku duhet të investohet. Kjo ka qenë jo e lehtë në një vend ku klanet mafioze dominonin dhe kontrollonin portet, aeroportet, kontrollonin territorin, ku bashkëpunimi i tyre me qeverinë nuk njihte asnjë ligj, asnjë rregull, veçse impononte gjobën dhe taksën.  Ne e kemi arkivuar këtë kohë. Si rrallë ndonjë vend tjetër, në një hark kohor 2 mujor, ne kemi firmosur 3.5 miliardë kontrata koncensionale. Dy vite më parë unë isha për vizitë zyrtare në një vend mik dhe atë ditë, Kryeministri i atij vendi, do të firmoste me një firmë koreane kontratën prej 1 miliardë dollarësh për ndërtimin e makinave. Me vete mendoja se vallë kur do të vijë dita që edhe ne të firmosim kontrata 1 miliardë dollarësh. Por dita erdhi shumë më shpejt nga sa e kisha menduar unë.   Kjo ditë u realizua në dhjetor, u ri përsërit në janar. Sot ne kemi me dhjetëra koncesione të tjera në parapërgatitje, me të cilat jo vetëm zhvillojmë Shqipërinë, por punësojmë me shpejtësi shqiptarët.

Sot bota e zhvilluar po përjeton stuhinë më të madhe të kohërave, ajo po përjeton një kolaps të plotë financiar, përjeton një krizë financiare, si simotër të krizës  financiare që pësoi Shqipëria në vitin 1997. Skemat piramidale dhe fondet e tyre, binin njëra pas tjetrës. Prodhimi botëror ka rënë në nivelet e 60 viteve më parë.

Shqipëria shpallet dhe deklarohet si ekonomia më solide, së bashku me Azerbajxhanin. Përse ndodh kjo?  Ne jemi një ekonomi tregu dhe jemi të lidhur më shumë se të tjetër me botën dhe pasojat indirekte ndikohen, më shumë se te të tjetër, këtu tek ne. Megjithatë, ne mbahemi dhe parashikimet janë se ne do të kemi rritjen më të lartë ekonomike në Europë. Janë 5 institucione ndërkombëtare më seriozet në botë që bëjnë këtë parashikim. Por nga se erdhi kjo gjë? Erdhi sepse shpërthyen puse nafte a gazi, miniera floriri? Jo!  Kjo erdhi nga parimet e ndershme dhe të drejta që ne vendosëm në themelet e ekonomisë, erdhi nga reformat tona, rezultati i të cilave, në pamje të parë, duket si  i pabesueshëm. Ne ndërmorëm politikën e uljes së taksave dhe ajo solli rritje të paprecedentë të të ardhurave, rritje me 22 për qind çdo vit të të ardhurave, rritje të të ardhurave sa në asnjë vend tjetër, përveç atyre që kanë burime të tjera si, burime të mëdha gazi a nafte.

Ne ulëm taksat dhe u përballëm me opozitën dhe kundërshtimet e saj. Unë kam qenë në parlament kur i bëja thirrje “opozitës së bilbilave dhe borive” që të mos votonin kundër uljes së taksave, sepse studimet më të thella dhe më serioze faktojnë se ulja e taksave  është mirëqenie, se ulja e taksave nuk është favori i parë për kapitalistët, ashtu siç thoni ju, por kjo politikë është favori për punëtorin, për të papunin, për komunitetin, për vendin. Kjo praktik u faktua si sukses shumë i madh. Ne ulëm taksat dhe rritëm të ardhurat, por me këto të ardhura rritëm rrogat, pensionet. Pra, qenë punonjësit, pensionistët ata që përfituan. Ne, me këto taksa, shndërruam Shqipërinë në kantier. Kështu që, stimujt fiskalë dhe bonuset fiskale që të tjerët po i vendosin tani, ne i nisëm 4 vite më parë. Javën e parë të kësaj qeverie, ne kemi përgjysmuar taksat për biznesin e vogël.

Ka një tendencë çnjerëzore për të rritur taksat e biznesit të vogël. Ne, absolutisht, do të ndërhyjmë me ligj dhe askush të mos mendojë se do të përdorë pavarësinë e pushtetit  vendor, për të vendosur barrë mbi bizneset e vogla. Kësaj i thonë të sjellësh zjarrin në vatrën tënde. Në një kohë kur të tjerët ulin taksat për të shpëtuar bizneset, qeveritarët  vendor shqiptarë kanë gjetur mekanizmin e rritjes. Brenda 10 ditëve, parlamenti do të ndërhyjë padiskutim dhe do t’ua vendosë “kufirin tek thana”.  Është shumë e lehtë të urdhërosh rritje taksash, por duhet të menduar se si e nxjerr biznesmeni i vogël kafshatën, se çfarë djerse dhe mundi harxhon ai.

Ne ndoqëm një politikë të ndershme, ndoqëm një politikë të rritjes së kërkesës së brendshme. Shpesh herë jam akuzuar se përse po rris rrogat dhe pensionet. Por, unë ju them se shekulli i kaluar faktoi se ata që rritën kërkesën, ata u zhvilluan, ata zhvilluan kapitalizmin botëror. Ne e kombinojmë këtë rritje-kërkesë me ulje të madhe taksash, me lehtësim të biznesit.

Qytetarë të Durrësit,

Këto katër vite, ne kemi shtruar themelet për katër vitet që vijnë, për një zhvillim shumë herë më të madh. Në rast se në mandatin e parë  i premtuam Durrësit universitetin dhe sot Durrësi ka një nga universitetet më të mira të vendit, i premtuam portin e ri dhe porti po ndërtohet, këtë mandat, unë e garantoj Durrësin se do të ketë parkun industrial ndër më të rëndësishmit në Ballkan dhe më gjerë. Të gjithë do të donim që parku të ishte inauguruar që ditën e parë të fitores sonë, por nuk kishte asnjë kusht të tillë. Për të inauguruar parkun duhej të shtypje bandat, të shkatërroje monopolet, duhej të vendosje sistemin e ri fiskal, të ndryshoje imazhin e  Shqipërisë dhe emrin e saj për mirë në botë. Për të inauguruar parkun, Shqipëria duhej të ishte tjetër, sepse parku industrial është një tërësi industriale, por para së gjitha është çështje besimi, perspektive, e ardhmeje.

Sot, Shqipëria, anëtare e NATO-s, u jep garanci absolute investitorëve nga mbarë bota për ta shndërruar parkun industrial të Durrësit në njërin prej parqeve më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë, për të punësuar dhjetëra e mijëra djem e vajza shqiptare, për të rritur prodhimin në mënyrën më të shpejtë dhe të ndjeshme, për të shndërruar Porto Romanon në një nga zonat energjetike më të rëndësishme të Ballkanit.

Pra, ne nuk kërkojmë votën për ato që kemi bërë. Ne ftojmë çdo qytetar të reflektojë dhe të shohë që kemi mbajtur premtimet e dhëna dhe votën e kërkojmë për ato që ne do të bëjmë.

Në katër vite, Shqipërinë, nga e cila largoheshin me mijëra investitorë, vitin e kaluar e renditën të dytën në botë për suksesin e reformave ekonomike. Unë ju jap fjalën se, me vendosmëri të hekurt, ne do të bëjmë që këto reformat të thellohen gjithnjë e më shumë. Shqipëria do të jetë një nga vendet më tërheqëse në botë për investime.

Dy janë fushat kryesore në të cilat qeveria e ardhshme do të përqendrohet me të gjithë potencialet e saj.

Së pari, shëndetësia. Unë e di që sot janë jo të paktë qytetarët që kanë pakënaqësi ndaj këtij sistemi. Nga ana tjetër, është qeveria ajo që duhet të bëjë të gjitha reformat për të rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe zhvillimin e këtij sektori, për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë. Por bataku në të cilin ishte zhytur ky sistem, në kuadër të sistemit të kleptokracisë, kërkonte kohën e vet.  

Nuk mund të reformoje sistemin e shëndetësisë kur infermieret, të cilat shkrijnë jetën dhe energjitë e tyre te shtrati i të sëmurit, i paguaje në mënyrën më qesharake, duhet menduar se edhe ato jetojnë në kushtet e tregut, edhe ato blejnë me çmimet  e larta të tregut, edhe ato kanë jetën e tyre. Ndaj ne e nisëm reformën nga infermieret, nga mjekët. Nuk mund t’i dyfishonim rrogat e tyre në një vit, por në katër vite ne po i mbidyfishojmë ato.

Ne nuk mund të aplikonim menjëherë blerjen e shërbimeve ne spitalet tona nga Instituti i Sigurimeve shëndetësore, sepse ai ishte i falimentuar, sepse e kishin vjedhur dhe e lanë me 12 milionë euro borxhe. Pra, ne na u desh ta nxirrnim nga falimentimi institutin, sepse në sistemin e tregut, marrëdhëniet financiare në shëndetësi, janë përcaktuese, njëra palë kryen dhe ofron shërbimet, pala tjetër i blen ato. Ky është mekanizmi bazë i reformës në sistemin e shëndetësisë. Me krijimin e kushteve, këtë vit, ne kemi filluar në mbarë spitalet e vendit blerjen e shërbimeve nga institucioni financiar. Ky është vetëm një hap. Unë ju garantoj se në vitet që vijnë, me shpejtësinë më të madhe, reforma e këtij sistemi do të ndryshojë cilësinë e shërbimit dhe do të jetë kjo një nga përparësitë më madhore tonat. Jemi shumë të sigurt se ne do ta realizojmë këtë reformë. Ne kemi hedhur shinat solide të reformës në sistemin e shëndetësisë, e cila është më e vështira nga të gjitha reformat për çdo vend.

Por, ne jemi të sigurt se katër vitet që vijnë, në këtë sistem do të luftojmë me eficencën më të madhe korrupsionin, ne jemi të sigurt se katër vitet që vijnë ne do të krijojmë një partneritet publik-privat të shkëlqyer, do i japim mundësi blerjes dhe shërbimeve më të mira për qytetarët shqiptarë, do hapim garën e shërbimeve, do t’i japim të drejtën qytetarit që ai t’i blejë apo t’i marrë këto shërbime aty ku ai preferon dhe i gjykon cilësisht më të larta. Kjo do të thotë se duhet të shtrijmë sigurimet edhe në drejtim të sektorit privat, duke mbështetur sektorin publik, duke mbështetur të gjithë ata që nuk kanë mundësi. Pra, kur them që këto shërbime t’i blejë qytetari, e kam fjalën që t’i blejnë sigurimet për të. Pra, kjo reformë mbetet një përparësi absolute.

Së dyti, reforma në arsim.  Ne kemi ngritur shtyllat shumë solide të një arsimi të ri. Së pari, kemi vendosur mësuesin në piedestalin që meriton. I ftoj mësuesit që të klikojnë në internet  dhe të gjejnë ndonjë vend që të ketë  dyfishuar në 4 vjet rrogat e tyre. Por edhe në shkallën e piramidës së rrogave, mësuesit në Shqipëri kanë një ndër mirëvendosjet më të qarta, në Europë. Kjo ishte shumë e domosdoshme.  

Arsimi është problemi më serioz për një vend dhe ne nuk mund të mos e marrim me seriozitetin më absolut. Ne shtrimë internetin në të gjitha shkollat e vendit, ka pasur skepticizëm, ka pasur edhe arsyetime se përse na duhet kjo gjë, por sot në çdo shkollë që unë shkoj, konstatoj se ato kabinete janë kabinete të shpresës, të besimit, të krenarisë për çdo shkollë. Ky është vetëm hapi i parë, pasi në mënyrë absolute, mosha dixhitale për këta djem e vajza, për fëmijët tanë dhe të fëmijëve tanë nuk do të njohë kufij. Do të bëjmë çdo përpjekje që çdo i ri shqiptar të ketë kompjuterin e tij. Përpjekja është e vështirë, por nuk ka dhuratë më të mirë sesa një kompjuter, sesa shkolla për fëmijët tanë.

Do bëjmë përpjekje të mëdha që sektori privat të marrë pjesë aktive në arsimimin e shqiptarëve. Vendet që kanë arsimin më të  zhvilluar në botë, kanë pjesëmarrjen më të lartë të sektorit privat në arsim, që do të thotë të mobilizojmë fondet më të mëdha në rang kombëtar për zhvillimin e këtij sektorit.

Reformat e ardhshme do të kenë këtë synim kryesor.  Ne nuk bazojmë platformën tonë në retorikë, për ne, shpresë është puna, për ne e ardhme është rritja ekonomike, integrimi në NATO, ne nuk jemi dhe nuk do të jemi ndonjëherë parti e fjalëve boshe. Ne vijmë sot, në këtë akt të madh kombëtar, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pasi ne jemi burrat dhe gratë që shembëm “murin e Berlinit në Shqipëri”, ne jemi ata që shembëm diktaturën më të egër në Shqipëri, ne jemi ata që u përballëm me mjerimin më të madh njerëzor dhe fituam, ne jemi ata të cilët hodhëm në Shqipëri themelet e tregut dhe të demokracisë, ne jemi ata që shembëm murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ne jemi ata që anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës, ne jemi ata  që firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit  dhe po ecim drejt statusit të kandidatit, ne jemi ata që shndërruan në realitet projektin ëndërr të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Shqipëria në NATO.

Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria”                                                       


28/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›