Fjala e Ministrit të Financave Kastriot Islami në Konferencën e Shtypit Të nderuar përfaqësues të medias, Më lejoni t"ju informoj se sapo është marrë vendimi i Këshillit të Minist
Fjala e Ministrit të Financave Kastriot Islami në Konferencën e Shtypit
Të nderuar përfaqësues të medias,
Më lejoni t"ju informoj se sapo është marrë vendimi i Këshillit të Ministrave i cili duke vlerësuar punën dhe angazhimin teper serioz të Ministrisë së Financave miraton Projekt Paketën Fiskale dhe Buxhetin per vitin 2004 për t'ja përcjellë për shqyrtim e miratim Kuvendit.
Ministria e Financave, menjëherë pas përfundimit të negociatave me FMN, ka përcjelle ne Këshillin e Ministrave për diskutim në Komitetin e Politikave Ekonomike dhe miratim në KM duke parashikuar njekohësisht të gjithë hapsirat për dërgim në Kuvend brnda anagzhimeve të përcaktuara në LOB.
Duke filluar nga viti 2000, me përjashtim të vitit 2003 (kur janë zbatuar pothuajse të gjithë detyrimet e OBT), është përcaktuar përmes vendimarrjeve të Kuvendit për nivelin e tarifave doganore një qëndrim i moderuar e fleksibël përsa i përket respektimit të detyrimeve të OBT me arsyetimin për të ballancuar impaktin në të ardhurat fiskale dhe për të krijuar kushtet e klimën nxitëse të prodhimit vëndas së paku në periudhën afatshkurtër. I njëjti arsyetim e qëndrim është mbajtur gjithashtu gjatë përgatitjeve të këtyre dokumenteve për vitin 2004, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqesuesit e të gjithë ministrive të linjës.
Nisur nga vlerësimi serioz i të gjithë konkluzioneve të negociatave të fundit me BE, të bëra të njohura në mbledhjen e Komitetit Ndërministror te Politikave Ekonomike nga Zëvëndës Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Integrimin dhe nga argumentat e paraqitura zyrtarisht nga Ministria e Ekonomisë për plotesimin e detyrimeve qe rrjedhin nga zbatimi i marreveshjes me OBT-ne, lindi nevoja e rishikimit dhe vlerësimit të nivelit të zbatimit të detyrimeve të OBT kryesisht në konteksin e negociatave me BE, impakti i të cilave në versioanin e aplikimit të moderuar të detyrimeve të OBT eshte reflektuar në projektet e Paketës Fiskale e për rrjedhojë edhe në Projekt Buxhett të vitit 2004 të miratuar sonte nga KM.
Ne kete kontekst, Ministria e Financave duke vlerësuar angazhimet e Ligjit Organik të Buxhetit, ka qenë e detyruar, krahas kryerjes brënda një kohë shumë të shkurtër të një sërë bashkërendimesh të zakonshme me disa nga Ministrite e Institucionet vëndase, të realizojë edhe takime me përfaqsues të FMN e vecanërisht të BE, për të reflektuar vërejtjet, sugjerimet dhe qëndrimet me te fundit të shprehura në Komitetin Ndërministror të Politikave Ekonomike kryesisht përsa i përket vlerësimit të BE ndaj zbatimit të detyrimeve të OBT dhe eksplorimit te mundesive per nje zbatim te moderuar te axhendes se implementimit te ketyre detyrimeve.
Paketa Fiskale:
Pjesë e pandarë e përgjegjësisë në rritje të maxhorancës socialiste, është edhe serioziteti në bashkërendimin e politikës fiskale me procesin e hartimit të projekt buxhetit të shtetit. Tashmë është kthyer në traditë që Ministria e Financave i paraqet së bashku Paketën Fiskale me Projekt-Buxhetin e vitit pasardhës.
Paketa me draftet e akteve ligjore për vitin 2004 ne thelb synon:
(i) Garantimin e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik;
(ii) Reduktimin e mëtejshëm te evazionit fiskal dhe fuqizimin e administratave tatimore dhe doganore;
(iii) Përafrimin e legjislacionit me praktikat më të mira me vendet e rajonit dhe BE;
(iv) Krijimin e një klime të favorshme për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit vendas dhe të huaj dhe kushte lehtësuese;
(v) Krijimin e një mjedisi më të favorshëm ligjor për biznesin vendas dhe atraktiv për biznesin e huaj;
(vi) Implementimin e rekomandimeve të BE-së në funksion të procesit të negocimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në mënyrë të veçantë të konsolidimit fiskal të taksës së rrugës Durrës-Kukës-Morinë;
(vii) Vazhdimin e konsolidimit të legjislacionit fiskal dhe veçanërisht ligjit të akcizave, proçedurave tatimore, tatimit mbi të ardhurat, lojrat e fatit etj.
viii) Implementimin e reformës për transferimin e të drejtës për të mbledhur kontributet shoqërore dhe shëndetësore nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe Shoqërorë tek administrata tatimore.
(ix) Zbatimin e angazhimeve nga marrëveshjet me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, OBT-së, FMN-së, BE-së etj;
Gjatë procesit të diskutimit për nivelin e përfshirjes në paketën fiskale të propozimeve të ardhura, krahas nevojës së ruajtjes së ritmeve të larta të rritjes së të ardhurave, vëmendja është përqendruar dhe në reflektimin e zhvillimeve aktuale të ekonomisë vendase, nivelin e investimeve private vendase dhe të huaja, gjithnjë në rritje gjatë këtyre viteve të fundit, në politikat fiskale dhe nivelet e taksave doganore në veçanti.
Buxheti i Shtetit 2004:
Programi Financiar i Shtetit për vitin 2004, shënon një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të arritjeve pozitive të treguesve makroekonomik dhe atyre të buxhetit, të cilat i kemi hasur gjatë vitit 2003. Ky program, mbështetet, në një ambjent të qëndrueshëm makroekonomik, i cili përbën një pikënisje të sigurtë për konsolidimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike, të ruajtjes së inflacionit, rritjes progresive të të ardhurave të buxhetit të shtetit e sidomos atyre tatimore, në menaxhimin më të mirë të shpenzimeve publike, në mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor, etj.
Projekt buxheti i shtetit për vitit 2004 në krahasim me vitin që po lëmë pas, shënon një ndryshim pozitiv si nga pikëpamja sasiore po ashtu edhe nga pikëpamja cilësore.
Nga pikëpamja sasiore, bashkësia e informacionit për treguesit makroekonomike, fiskal dhe buxhetor është rritur duke ofruar kështu, më shumë inpute dhe analiza, gjë e cila rrit ndjeshëm mundësinë për gjykim, e për pasojë për sugjerime, të cilat pa dyshim do të përmirësojnë Programin Financiar të vitit 2004.
Për herë të parë në hartimin e buxhetit të gjithë ministritë e linjës kanë synuar të programojnë projekte sektoriale të perzgjedhura mbi bazë kriteresh të cilat tentojnë të masin rezultatin ekonomik e social.
Buxheti i vitit 2004 do të vazhdojë të financojë me prioritet sektorin e shëndetësisë me synim përmirësimin e shërbimit parësor, sektorin e arsimit me synim përmirësimin e mësimdhënies dhe rritjes së nivelit të arsimit. Kujdes do të vazhdohet të tregohet në shërbimet sociale.
Forcimi i kapaciteteve në Ministrinë e Financave si dhe në të gjithë ministritë sektoriale, sidomos nëpërmjet rritjes së nivelit e aftësive programuese, forcimit të kuadrit ligjor, rritjes së nivelit të implementimit të programeve e projekteve dhe kontrollit të brendshem financiar do të rrise në mënyrë të konsiderueshme shkallën e përgjegjshmërisë financiare.
I gjithë programi i Buxhetit për vitin 2004, mbështetet në një analizë realiste të arritjeve dhe faktorëve që përcaktuan situatën ekonomike e sociale të vitit 2003, në rritjen progresive të të ardhurave të buxhetit të shtetit, në thellimin e reformave në administrimin e të ardhurave tatimore dhe doganore, në luftën kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës si dhe në forcimin e kapaciteteve në këto administrata.
Kuadri dhe linjat kryesore të këtij buxheti, duke qënë pjesë e marrëveshjes PRGF që Qeveria shqiptare ka realizuar me FMN, janë konsultuar e negociuar me misionet e saj. Më konkretisht linjat kryesore të Projekt Buxhetit 2004 janë:
• Totali i te ardhurave te buxhetit do te arrije ne afersisht 200 miliarde leke, duke shenuar nje rritje prej 22.2 miliarde leke me shume sesa cpritet ne fund te ketij viti. Ku te ardhurat nga tatimet dhe doganat do te kapin shifren 125.6 miliarde leke ose nje rritje progresive prej 15 miliarde lekesh, ku per here te pare tatimet do te sjellin ne buxhetin e shtetit me shume te ardhura sesa doganat.
• Shpenzimet buxhetore do te rriten me mbi 30 miliarde leke ose me rreth 14.4% kundrejt vitit 2003, nderkohe qe financimi i brendshem i deficitit do te mbahet ne nivel konstant me GDP-ne.
• Investimet do te arrijne ne rreth 48 miliarde leke ose nje rritje me 9.4 miliarde leke dhe e thene ndryshe nje rritje me mbi 25%.
• Me miratimin e studimit te projektit te rruges Durres - Kukes ne Keshillin Kombetar te Rrugeve, kete vit dhe ne vitet ne vazhdim Ministria e Transporteve ka planifikuar ne buxhetin e saj fondet e nevojshme per ndertimin sipas segmenteve te kesaj rruge. Qeveria eshte e angazhuar per te gjetur edhe financime te huaja per kete projekt.
Te gjitha keto konstituojne nje praktike gjithnje e me prane standarteve nderkombetare si nga pikepamja e rritjes se pergjegjshmerise se Agjensive qeveritare ne hartimin dhe ekzekutimin e buxhetit te shtetit, ashtu dhe nga pikepamja e pjesemarrjes te sa me shume aktoreve dhe grupeve te interesit ne diskutimin, vleresimin, hartimin dhe miratimin e ketij dokumenti te rendesishem qe siguron ritme te qendrueshme zhvillimi te vendit.
Në mbyllje ju njoftojmë se Ministria e Financave dhe administratat tatimore dhe doganore do të jenë gjatë gjithe kesaj periudhe ne vijim prezente pranë medias për një paraqitje të detajuar të paketës fiskale dhe projekt buxhetit për vitin 2004.
Ju faleminderit,