Fjala e kryeministri Berisha në takimin me Kryetarët e PD në rrethe dhe Kryetarët e grupeve të punës të PD-së, në qarqet e vendit

“Megjithëse i kemi shkëmbyer urimet e vitit të ri, përsëri ju uroi ju drejtuesve vendorë të PD, anëtarësisë, simpatizantëve tanë një vit të mbarë me një fitore të shkëlqyer më 23 qershor, fitore e cila ka një rëndësi jetike vendimtare për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”, apo projektin e Shqipërisë së zhvilluar evropiane. Fushata elektorale ka nisur që me datën 10 shtator. Ajo po zhvillohet në shumë plane, në mënyrë që 23 qershori të jetë një 22 mars i vërtetë. Sado që 22 marsin dhe 23 qershorin i ndajnë 21 vite, në qoftë se do të mateshin me ëndrra të realizuara, me ëndrra të bërë të vërteta , të shndërruara në realitet, me projekte të suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misionin e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë, këto dy data të duken binjake, në aspiratat, idealet, arritjet, dhe çdo gjë.
Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që më 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të PD-së si një forcë politike që në këto 22 vjet ka patur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike, se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt, në Evropën ish-komuniste.
Kjo parti është faktuar në mënyrë të përsëritur para shqiptarëve se ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen euroatlantike. Ne, në 22 vite nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në procesin e integrimit, por historia është kjo: Është partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, është Partia Demokratike që firmosi marrëveshjen e stabilizim-associimit me BE, pas marrëveshjes së tregtisë me BE. Është Partia Demokratike që mori ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Është PD në pushtet bashkë me aleatët e vet, ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën.
Është Partia Demokratike ajo që realizoi ose bëri të vërteta këto ëndrra shekullore të shqiptarëve , sepse në vitet e saj në pushtet, ajo ndërmori reformat më të thella dhe transformuese. Nuk do të krahasohemi tani me Shqipërinë e 20 viteve më parë, por po të hedhim sytë në Shqipërinë e 7 viteve më parë, çdo shqiptar ndjen , prek, konstaton se këto 7 vite, Shqipëria ndryshoi më shumë se kurrë në historinë e saj, se në këto 7 vite Shqipëria kaloi nga vend i varfër, në vend me të ardhura të mesme, të larta. Në këto 7 vite, Shqipëria nga një vend me tregues të botës së tretë, për sa i përket jetëgjatësisë, vdekshmërisë foshnjore, asaj amtare dhe asaj në tërësi, sot Shqipëria në të gjithë këta tregues, lë pas jo një, por disa vende të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Në këto vite shqiptarët ndërtuan më shumë se në çdo periudhë tjetër të jetës së tyre. Nga një vend që 10 vite më parë, kishte banesa për një mijë banorë, më pak se çdo komb tjetër në vitin 1980, regjistrimi i fundit tregon se Shqipëria lë pas në banesa, për një mijë banorë, së paku 5 kombe të zhvilluara anëtarë të BE dhe të OECD-së. Në këto 7 vite, Shqipëria njohu bumin më të paimagjinueshëm turistik krahasuar me çdo vend tjetër. Nga 300 mijë vizitorë dhe turistë në vitin 2004, Shqipëria prit mbi katër milion turistë e vizitorë vitin që shkoi. Në këto vite, Shqipëria e cila renditej në fundin e botës, 7 vjet më parë në përdorimin e internetit me 4,8 % në shkallë vendi, një nivel ky subafrikan, sot renditet me standardet e BE në mbi 60 % .
Në këto 7 vite Shqipëria ndërtoi infrastrukturën më moderne dhe po e kompleton. Është Komisioni Evropian që deklaroi se Shqipëria po ndërton rrugë dhe autostrada më shumë se disa vende të rajonit të marrë së bashku.
Në këto 7 vite reformat e udhëhequra nga PD në periudhën e krizës më të thellë u faktuan një nga sukseset më të mëdha. U dëshmuan se kjo qeverisje dhe këto reforma kanë kapacitet dhe aftësi për të menaxhuar me seriozitetin më të madh dhe sukses të veçantë krizën më të rëndë që ka pllakosur Evropën.
Dua tu them ju dhe mbarë shqiptarët e dinë se në interesin e tyre personal, familjar, një nga arritjet më të mëdha ka qenë suksesi i reformave ekonomike dhe ekonomia e këtij vendi. Ekonomia shqiptare nuk ra në krizë, ajo i rezistoi krizës, dhe dua tu them qytetarëve, mos u ndikoni nga zemërligjtë dhe injorantët që i tmerron çdo sukses i juaji , sepse në fatkeqësitë dhe vështirësitë tuaja shohin mundësitë e karriges së tyre, por fakti është se vendi ynë nuk ra asnjë minutë të recension; se Shqipëria garantoi në kulmin e krizës, rritjen e saj ekonomike, katër herë më të lartë se vendet e rajonit; se Shqipëria pati rritje ekonomike më të lartë në Evropë dhe se Shqipëria sërish do të ketë rritje ekonomike më të lartë në Evropë në 8 vite të mara së bashku.
Në luftën kundër korrupsionit në këto 7 vite, ne kemi shpëtuar nga kthetrat e tij të zeza mbi 9 miliard dollarë në taksa, prokurime , shërbimet publike. Në këto 7 vite shqiptarët njohën rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë. Në këto 7 vite, theksoj edhe njëherë tjetër ne i dhamë vendit dhe po i japim infrastrukturën më të re dhe moderne. Mbi 10 mijë km rrugë, qindra sisteme kanalizime dhe ujësjellësa.
Në këto 7 vite në mbarë vendin ndërtuam e rindërtuam 1300 shkolla, konsoliduam sistemin tonë arsimor, si shtyllë kryesore për krijimin e shoqërisë së dijes, Shqipërisë së dijes.
Gjithçka që është realizuar ka në themel, para së gjithash, mundin e djersën e qytetarëve shqiptarë. Edhe ata, të cilët përpiqen të errësojnë këto suksese, shkelmojnë kontributin e çdo qytetari. Natyrisht, të gjitha këto arritje janë edhe rezultat i suksesit të reformave të thella që ndërmori kjo qeveri dhe i guximit të madh që u tregua për ndërmarrjen e këtyre reformave, i besimit të palëkundur të qeverisë, të Partisë Demokratike, të mazhorancës tek liria e potencialet e saj të jashtëzakonshme. Kjo është baza mbi të cilën ne kemi nisur e vazhdojmë betejën tonë elektorale, betejën e fitores.
Duke theksuar këtë, ju e dini shumë mirë se djepi i fitores qëndron në votën e shqiptarëve. Votë, e cila përbën faktorin përcaktues të fitores sonë. Kjo votë meritohet atëherë, kur ne, në mënyrën më të vendosur, më të njerëzishme, më eficente, më reale, të kemi trokitur në çdo zemër, në çdo derë, në çdo vatër shqiptare, kur në punën tonë të kemi kthjelluar dhe të largojmë çdo akt ineficence. Të mos pranojmë kurrë të vetmashtrohemi, të kontrollojmë çdo rezultat të punës, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme.
Kjo betejë është para së gjithash vepër e atyre qindra mijëra militantëve, anëtarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike, të cilët angazhohen në misionin e madh të mbrojtjes së arritjeve tona, të paraqitjes së vizionit tonë për katër vitet që vijnë, të një debati të gjerë, të bazuar në argumente, në respekt të plotë ndaj secilit, duke përjashtuar çdo frymë njëanësie.
Ne kemi jo një, por njëmijë arsye t’u drejtohemi mbarë shqiptarëve, për të na e besuar neve votën. Nuk ka sot qytetar më të zhgënjyer se ata, të cilët katër vjet më parë votuan për PS-në, sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant me aspiratat e socialistëve shqiptarë, në kundërshtim flagrant me aspiratat e mbarë shqiptarëve.
Dhe si alternativë ata ofrojnë: Fundërrina të të gjitha llojeve të bashkohemi kundër Sali Berishës. Keni dëgjuar a lexuar ndonjëherë në historinë e politikës botërore thirrje për aleanca të tilla?!
Ne do të shkojmë me vlera para çdo qytetari shqiptar. Vlera, vlera dhe vetëm vlera. Le të bashkohen të gjithë fundërrinat, por ju jap fjalën e nderit, në mënyrën më solemne, i përgatitur me gjithë shpirt, për fushatën më të bukur. Për fundërrinat përveç Lanës, vend tjetër nuk mund të kesh. Zgjedhja është e tyre. Por të dalësh me moton: Fundërrina bashkohuni, të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total, kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, e njeriut që ka për shtrojë e mbulojë disfatat e njëpasnjëshme dhe pastaj dëgjon thirrjen: Fundërrina bashkohuni për të fituar kundër Sali Berishës.
Shqiptarët u kanë besuar e u besojnë vlerave. Askush nuk ka pasur një çmim më të shtrenjtë për vlerat sesa ne, pasi kjo ka qenë historia jonë. Por ne kemi dëshmuar se qëndrojmë plotësisht ndaj vlerave, qëndrojmë plotësisht ndaj normave e standardeve që ndajmë me kombet e tjera të qytetëruara. Ata, edhe e quajnë qelbësirë njëri-tjetrin, edhe i thotë më pas, të bashkohemi. Le ta quajë si të dojë, ne do të mbetemi parti e vlerave, ne do të mbetemi qytetarë të vlerave dhe cilido që do të bashkohet me ne, do të bashkohet rreth vlerave. Kjo është motoja jonë.
I pasigurt totalisht për ditën që agon, i bindur për disfatën që e pret, kryetari i Partisë Socialiste kërkon të bashkojë rreth vetes edhe ata, që mua më vjen zor që t’i nxjerr ato fjalë, nga goja.
Rendja pas çdo vote është detyra e misioni i anëtarësisë sonë. Unë kam besim se me vendosmërinë e përkushtimin tuaj dhe të anëtarëve, simpatizantëve e mbështetësve tanë, 23 qershori do të jetë një 22 mars i vërtetë. Shqiptarët do të votojnë projektin e Shqipërisë europiane të zhvilluar dhe do të hedhin mënjanë murin e turpshëm të bllokimit, të cilin ata, kurrë nuk e meritojnë. Ata meritojnë të ardhmen europiane.
Edhe një herë një përshëndetje shumë të përzemërt anëtarëve e simpatizantëve të partisë sonë.
17/01/2013