- Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH-së Fatos Nano në Konferencën e PS-së së rrethit të Lezhës - Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Lezhës,
- Fjala e plotë e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH-së Fatos Nano në Konferencën e PS-së së rrethit të Lezhës -
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Lezhës, gjatë së cilës pati disa takime.
Fillimisht, Kryeministri Nano, mori pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste në rrethin e Lezhës. Më tej, ai mori pjesë në inaugurimin e terminalit të trageteve në Portin e Shëngjinit, ndërsa pasdite zhvilloi një takim me intelektualë të rrethit të Lezhës.
Në Konferencën e PS-së së Lezhës, Kryeministri Nano mbajti këtë fjalë:
"Shoqe dhe shokë,
Motra e vëllezër,
Të nderuar aleatë, miq e të ftuar.
Është një kënaqësi e pazëvendësueshme për mua si Kryetar i PSSH ta nis prapë nga Lezha serinë e Konferencave që po analizojnë punën dy vjecare të forumeve tona politike vendore dhe, natyrisht, po i japin ashtu si edhe u shfaq, besimin e përgjegjësinë për të drejtuar nga organizata e deri në qark shokëve më të mirë, më të ndershëm, më të devotshëm dhe më profesionistë europianë për të ardhmen.
Në përgjithësi, në Lezhë dhe në gjithë Shqipërinë, procesi i këtyre analizave, i zgjedhjeve, i vendimmarrjeve është zhvilluar me përgjegjësi të lartë, edhe militante, edhe qytetare, duke evidentuar, edhe të metat,edhe dobësitë e punës tonë dhe duke nënvizuar veçanërisht transformimin e madh që gjithë Shqipëria, por dhe çdo komunitet, kanë pësuar për shkak të qeverisjes sonë reformatore dhe europiane.
Nuk besoj se është e tepërt të rikujtojmë sot së bashku se kur erdhëm ne socialistët dhe progresistët, aleatët tanë në qeverisjen e vendit shtatë vjet më parë, Shqipëria nuk kishte ndonjë gjë të përbashkët me botën moderne, me lirinë, me ekonominë e tregut të hapur, me sigurinë, me të drejtat civile dhe politike, apo me integrimin euroatlantik. Shqipëria ishte e mbuluar nga zhurma dhe zjarri i armëve që zbrazeshin pa kuptim, në një gjendje rebelimi ende të pashpjeguar, ishte e zotëruar jo nga bankat, por nga piramidat që thithën të gjithë kursimet e shqiptarëve. Sot, gjërat që na ndajnë me Evropën e Bashkuar, po zvogëlohen çdo ditë. Para shtatë vjetësh, për shkak të politikave aventureske dhe antikombëtare u vu në rrezik vetë ekzistenca dhe integriteti i Shqipërisë. Ndërsa sot të gjithë po binden se Shqipëria e qeverisur prej socialistëve dhe progresistëve, me institucionet e qëndrueshme demokratike që forcohen çdo ditë në standartet europiane, e meriton integrimin euroatlantik.
Prandaj motra e vëllezër, çdo socialist dhe progresist ka të drejtë të ndihet krenar për Shqipërinë moderne që po integrohet, që po ndërtojmë së bashku. Prandaj mos u tutni, mos u tulatni nën terrorin e fjalorit shpifës të Sali Berishës, i cili kërkon sërish revansh, kërkon të zëvendësojë pushtetin tuaj me pushtetin e bajraqeve, pushtetin e ligjit dhe të rregullit ligjor me pushtetin e kanunit dhe të gjakmarrjes primitive, pushtetin e lirisë kushtetuese me pushtetin e Njëshit.
Ne socialistët kemi dhënë prova se dimë të vlerësojmë dhe reflektojmë ndaj kritikave apo vërejtjeve objektive në adresën tonë, qofshin nga opinioni i shëndoshë publik, apo nga media korrekte, qofshin nga partnerët ndërkombëtarë apo nga shoqëria civile. Por ne nuk kemi ndërmend që aftësinë tonë për të korrigjuar vetveten dhe për të reflektuar me përgjegjësi ta lejojmë të na faturohet si dobësi për të përfunduar në ultimatume mesjetare si "Shporruni!" apo "Nano ik!",produkt i paaftësisë konkuruese tashmë të njohur të opozitës sonë të pandryshuar.
Më lejoni pra t'ju garantoj shoqe dhe shokë, se asnjë presion rruge, asnjë ultimatum kanunor, asnjë vargan shpifjesh që mohon zhvillimin dhe nxin realitetin nuk na detyron dot ne socialistëve dhe progresistëve të dorëzojmë përgjegjësitë tona legjitime për të qeverisur Shqipërinë drejt Evropës moderne dhe për ta lënë atë në duar aventurierësh të papërgjegjshëm që për këtë shkak janë ndëshkuar sistematikisht nga shumica dërrmuese e votuesve shqiptarë.
Ju socialistët dhe progresistët lezhianë duhet të vazhdoni të jeni në krye të mbrojtjes dhe zhvillimit të vlerave dhe arritjeve tona, sepse ju keni prova arritjesh konkrete, forca dhe arsye për të vazhduar ta bëni këtë gjë. Arritjet tona nuk janë refrene propagandistike për kohë fushatash zgjedhore, por realitete që preken, ndërtohen dhe shtohen çdo ditë sepse ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Po kujtoj se vetëm në 2 vjet e ca ,të fundit, (2000 – 2003), Bashkia e Lezhës ka përfituar më shumë 20 milion dollarë investime, ose aq sa kishte përfituar gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së mbrapshtë të Berishës. Sivjet janë buxhetuar dhe po financohen 30 milionë dollarë të tjera investime për 2004. Ne nuk presim që këto arritje të na i vlerësojë Berisha apo megafonët e tij që lehin, pasi ne besojmë se qytetarët e prekin infrastrukturën moderne të transportit dhe lëvizjet e lira që po ndërtojmë me ta, e prekin dhe përfitojnë shërbimin shëndetësor gjithnjë e më cilësor që po ofron gjithnjë e më shumë qeverisja jonë transparente, e prekin dhe e përfitojnë ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike që po shtohet dhe konsolidohet si sistem modern i jetës, e prekin dhe përfitojnë kushtet më të mira të arsimimit për fëmijët e tyre, apo të ardhurat dhe fitimet më të shumta dhe më të sigurta nga sipërmarrjet e ligjshme dhe të mbrojtura nga ligji të të gjithëve.
Shoqe dhe shokë!
Në Shqipëri politika ka edhe percepsione, madje jo rrallë percepsione që nuk përputhen me të vërtetën. Ndërsa qeverisja është një gjë konkrete, ka objektiva që maten, ka aksion dhe rezultate të dukshme, të krahasueshme në sytë e të gjithëve. Më shumë se sa kaq, sot qeverisja është e rakorduar dhe e mbikqyrur edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë me programe dhe axhenda integrimi që janë të njohura për të gjithë publikun e gjerë. Prandaj jemi të qetë dhe të angazhuar në funksionet tona për të përmbushur detyrat kushtetuese të qeverisjes së vendit, për të afruar dhe për të bërë të pranishme standartet e realiteteve të botës euroatlantike në Shqipëri dhe prandaj për të fituar çdo konkurim tjetër elektoral me Berishën dhe të tijtë. Siç e kam thënë roli i opozitës në një shoqëri demokratike nuk mund të zëvendësohet. Ashtu siç është e rëndësishme të kuptohet se ne të maxhorancës punojmë çdo ditë për të kapur standartet perëndimore, edhe opozita duhet të bëjë të njëjtën gjë: të punojë për të arritur ato standarte, pasi në Europën e Bashkuar do të shkojmë të gjithë. Në këtë kuptim, me keqformimin e saj, me primitivizmin e saj, opozita shqiptare mbetet një peshë, një kondrapedal që e ngadalëson hapin dhe ritmin tonë të ecjes drejt Europës.
Sidoqoftë, pavarësisht arritjeve, as ne nuk jemi krejt të kënaqur nga saç kemi bërë. Të tillë jemi ne, socialistët, kemi aftësinë e vetpërmirësimit. Prandaj jemi të angazhuar për të rishikuar përvojën tonë politike dhe qeverisëse, për të bërë të mundur sa më parë çdo përmirësim që pritet nga ne prej qytetarëve shqiptarë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë.
Së pari unë gjykoj se socialistët, ose të paktën ata janë vërtetë të tillë, duhet t'i lënë mënjanë mëritë ndaj njëri-tjetrit, duke bashkuar përgjegjësitë, energjitë dhe kontributet, jo nga frika e Berishës apo e opozitës në tërësi, por sepse këtë bashkim dhe sinergji forcash e kërkon përmbushja e angazhimeve që kemi përballë zgjedhësve shqiptarë dhe për të fituar bindshëm edhe zgjedhjet parlamentare të 2005-s. Në këtë funksion unë do të vlerësoj se kohezioni i socialistëve fillon këtu në bazë, në çdo organizatë e Këshill Zonal, në çdo Komitet Drejtues dhe Konferencë që përzgjedh drejtues. Unë e di që më kritikoni për tolerancë apo liberalizëm dhe ndoshta përkohësisht është dukur se nga këto cilësi jemi dëmtuar, por ju garantoj se nuk do të heq dorë kurrë nga këto vlera universale të shoqërive demokratike të botës euroatlantike, pasi edhe rezultatet e këtyre viteve gjatë së cilëve ndërtuam bashkërisht një parti moderne, e kanë vërtetuar këtë gjë. Unë mbetem i bindur se abuzimi me vlerat që janë përfundimisht edhe tonat e ka jetën të shkurtër, kurse konsolidimi i tyre i shërben modernizimit të PSSH dhe gjithë Shqipërisë, por edhe aftësive të saj konkurruese në standartet e politikës dhe botës moderne ku po integrohemi.
Prandaj gjej rastin, sot, t'u bëj thirrje të gjithë konkurentëve për forumet dhe drejtimin e PS në Lezhë, përfshirë Prengën, Ndrekën dhe Agustinin, të gjejnë forcat për të bashkuar kontributet dhe energjitë në bashkëpunim me njëri-tjetrin për të përmirësuar punën dhe imazhin e socialistëve dhe progresistëve në qeverisje edhe këtu. Historia jonë, tashmë 13 vjeçare, ka treguar se mes nesh nuk ka të humbur. Madje, më shumë se sa kaq, as në opozitë nuk ka të humbur, pavarësisht se opozita jonë nuk e kupton këtë gjë. Për këtë arsye u bëj thirrje të gjithëve që të konkurojnë dhe të menaxhojnë padurimin duke vendosur interesat progresiste dhe evropiane të të gjithë shqiptarëve mbi interesat private të momentit.
Shoqe dhe shokë!
Mendoj se e kam për detyrë të ndaj, në radhë të parë me ju, gjithë informacionin mbi marrëdhëniet tona edhe me ndonjë deputet që ka dalë nga Lezha. Në fillim, më lejoni t'ju kërkoj falje për ndikimin që ushtrova 3 vjet më parë mbi ju për t'i lënë zotit Nikollë Lesi një zonë elektorale të lirë, nga e cila ai sot rezulton deputet i opozitës. Dy deputetë me origjinë nga Lezha, z.Lesi dhe z.Zogaj abuzuan me besimin dhe mandatin e zgjedhësve tanë në vitin 2001, për t'u rreshtuar sot në krahun më ekstremist të skifterëve të Sali Berishës, pra ata nuk u vunë vetëm kundër nesh, por kundër mandatit kushtetues, kundër votës dhe mbështetjes që u dhamë, kundër reformave dhe kundër integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Për këtë arsye ata nuk përfaqësojnë më as Lezhën progresiste dhe europiane, e cila edhe më 13 tetor 2003 votoi për djalin tuaj, për kryetarin tonë të bashkisë, Gjok Jaku, votoi për socialistët dhe progresistët.
Përkundër abuzimeve dhe shpifjeve ndaj figurës sime dhe familjes sime, që në thelb janë kundër të gjithëve, janë kundër familjes sonë tonë politike, kundër progresit dhe aftësive tona të spikatura, janë provë e paaftësisë për t'u ndeshur me ne me votën e lirë. Unë dua t'u kujtoj abuzuesve me fjalën e lirë se Fatos Nano ka qënë sërish i pari ndër 4700 zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar që, së bashku me bashkëshorten, sipas ligjit kanë deklaruar pasurinë me transparencën e kërkuar ligjore. Jam i pari zyrtar i lartë i shtetit shqiptar që i kam dhënë kryesueses së Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive zj.Laska të autorizojë inspektorët e saj për të verifikuar pasurinë time dhe të familjes. Nga kjo pikëpamje, moralisht dhe ligjërisht askush nuk mund të vazhdojë më të abuzojë apo të shpifë me qëllimin e vetëm që Fatos Nano, socialistët dhe progresistët t'i lënë pushtetin Berishës nën errësirën e shpifjeve, t'i lënë pushtetin Lesit apo çfarëdo Zoge që nuk kakaris por leh. Për këtë arsye, unë po vazhdoj me qetësi punën time si Kryeministër, dhe ashtu, si deri më sot, pa shpërdoruar aspak pushtetin tim politik apo ekzekutiv, do të vazhdoj t'i drejtohem drejtësisë shqiptare, vetëm drejtësisë dhe ligjit për të gjitha të drejtat që u dhunohen qytetarëve dhe me cilësinë e Kryeministrit u jap të gjithëve mesazhin t'u drejtohen ligjit dhe jo vetgjyqësisë, shtetit të së drejtës dhe jo gjakmarrjes primitive. As kam ndërmend të përdor falangat, siç bënte Berisha, as të djeg gazeta. Sepse unë, si të gjithë ju, socialistët, jam i bindur dhe plotësisht i angazhuar për të ndërtuar një shtet ligjor, me pushtete të ndara, ku vetgjyqësia dhe gjakmarrja primitive zëvendësohet me institucione të forta ligjore, ku shpifjen e ndaj nga e vërteta jo shpata dhe jatagani, por gjykata, ku trupi gjykues nuk hakmerret apo nuk përdoret politikisht, por jep drejtësi dhe ku në analizë të fundit, përmes proceseve ligjore, edukon njerëzit, edukon drejtësinë, e cila nën këtë presion forcohet dhe bëhet edhe më e pavarur. Ky është mesazhi im për të gjithë shtetasit, drejtojuni ligjit dhe shtetit ligjor dhe jo vetëgjyqësisë për të rivendosur çdo të drejtë që ju dhunohet.
E gjithë kjo histori lehjesh që bubërron nëpër kjoska mediatike nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin tim politik dhe qytetar ndaj medias dhe fjalës së lirë. Personalisht kam dhënë dhe do të vazhdoj të jap prova të pashtershme se respektoj dhe ndikoj që në Shqipëri të zgjerohet hapësira ligjore për pavarësinë, lirinë dhe profesionalizmin e medias dhe të shtypit. Por në kohën europiane që jeton Shqipëria, nuk mund të lejohet më askush të përdorë mediat, tribunat apo funksionet publike në mënyrë abuzive për përfitime ilegjitime personale apo të grupit me tendera qendrorë apo vendorë. Duke ju adresuar institucioneve të drejtësisë unë nuk sulmoj median e lirë dhe aq më pak gazetarët që i respektoj për sakrificën, profesionalizmin dhe kurajon në zbulimin dhe publikimin e të vërtetës. Unë synoj të krijohet një klimë që i mbron ata nga spekulantë profesionistë që i kanë kthyer disa media në pushtet me maskë për të goditur cilindo që tenton të vërë rregull dhe standarte në këtë vend. Unë si Kryeministër nuk mund të lejoj që shumica e gazetarëve të Shqipërisë të punojnë në të zezë, pa kontrata, pa sigurime, të pambrojtur, të nëpërkëmbur në dinjitetin e tyre qytetar dhe profesional për arësyet që përmenda më lart, deri dhe në tentativë për t'i përdorur për qëllime të errëta apo ilegjitime të disa prej pronarëve të medias. Shtatë vite më parë u bëra unë iniciator i miratimit të ligjit mbi mediat vetëm me një nen: Shtypi është i lirë. Unë e di se ka sindikata pa sindikalistë, por jam zhgënjyer kur mësova se ka edhe shoqata gazetarësh pa gazetarë. Për shkak të përvojës sonë të akumuluar në raportet e medias me publikun, të medias me politikën, të medias me qeverinë dhe institucionet, të medias me sipërmarrjen, për shkak të mungesës së praktikave gjyqësore standarte deri më dje, gjykoj se ka ardhur koha që edhe konform rekomandimeve të raportit më të fundit të BE për Shqipërinë të kemi një ligj të plotë dhe të standarteve evropiane për median dhe garantimin e lirinë e saj. Prandaj kam marrë sërish iniciativën që të vendoset rregull ligjor, aspak personal apo abuziv dhe në bashkëpunim me institucionet e specializuara ndërkombëtare, të përfundojë proçesi dhe konsultimet për hartimin e një projektligji modern për median dhe shtypin. Pushteti i katërt, pra kaq i rëndësishëm për një shoqëri demokratike, nuk mund të funksionojë pa këtë mbrojtje ligjore, pa krijuar edhe ai vet instrumentat e veta ligjorë, që e shëndoshin, e forcojnë dhe e bëjnë të mbrojtur nga dhuna apo abuzimi i pushteteve të tjera.
Të dashur socialistë dhe përfaqësues progresistë të Lezhës,
Konferenca juaj e sotme ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për jetën e organizatës së Partisë Socialiste në tërësi, por për mbarë zonën, pasi ju do të jeni në qeverisje edhe pas ditës së sotme, edhe pas zgjedhjeve të vitit 2005. Me veçoritë që ne na karakterizojnë, shpirtin progresist, solidaritetin dhe gatishmërinë për të marrë përsipër sakrifica dhe kosto për ndërtimin e një Shqipërie më të mirë, të rrisim, pra, kontributet dhe sinergjitë tona, të rrisim përgjegjësitë tona përzgjedhëse për ekipe fitimtare.
Në këtë mënyrë, të nderuar socialistë lezhianë, ju do të bëheni gati për të përzgjedhur kandidatin më të mirë të mundshëm për deputet në vitin 2005, për t'i shlyer zgjedhësve të kësaj zone borxhin që i kemi prej 7 vjetësh.
Punë të mbarë!"