E Martë, 3 Nëntor 2026

Flet N/Kryetarja e Kuvendit, Spahiu: Puna duhet të kishte nisur! Shpreson në bashkëpunim me opozitën

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në një intervistë për Klan News foli sa i takon pozicionit të saj të ri, por edhe situatës disi të tensionuar në këtë sesion të ri parlamentar.

Fillimisht u ndal te prioritetet e këtij sesioni, që kryefjalë thotë ajo, duhet të ketë bashkimin e forcave për realizimin e detyrave, në përputhje me standardet europiane.

“Ndihem e nderuar dhe e respektuar në këtë pozicion  dhe shpresoj që të arrij atë lloj bashkëpunimi për të cilin ka nevojë institucioni, që të jetë sa më i frytshëm, duke shkuar përtej ndasive politike.”

Megjithatë, shprehu keqardhje që sot, 22 shtator, nuk u arrit një dakordësi mes partive politike lidhur me propozimet për Kryesinë e Kuvendit.

“Në këtë mandat ne kemi një punë shumë intensive, puna duhet të kishte filluar. Se kemi nisur pak me vonesë, duhet të intensifikojmë punën edhe me komisionet e reja që janë ngritur në mënyrë që detyrat që kemi t’i realizojmë në kohën e duhur. Padyshim, Kuvendi ka peshën më të madhe”, u shpreh Spahiu.

“Ëndrra s’bëhet realitet vetë, duhet punë e përbashkët dhe konsensus për të miratuar ligjet”, nënvizoi ajo.

U ndal te Komisioni për Kulturën, Turizmi dhe diasporën, duke e konsideruar ndër më të rëndësishmit.

“Fakti që diaspora votoi, ishte ndër arritjet më të suksesshme. Kemi shumë punë përpara, e kemi nisur me pak kundërshti nga ana e opozitës, por këto ndryshime janë të rëndësishme dhe do ishte mirë të miratoheshin nga të dyja palët”, deklaroi Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›