Fluks i lartë daljesh nga Porti i Durrësit, bien shifrat e pasagjerëve në hyrje të vendit

Nga dita e premte dhe deri ditën e djeshme (19 gusht) në portin e Durrësit janë përpunuar në hyrje-dalje afro 38 mijë pasagjerë dhe 11.428 automjete.
Fluksi i lëvizjeve është pak më i ulët sesa një javë më parë, kur të dhënat zyrtare raportonin për 42.585 pasagjerë dhe 13.333 automjete.
Nga e premtja në të martë, tragetet e linjës Durrës–Bari dhe anasjelltas kanë operuar me lundrime të dyfishta për të përballuar fluksin e udhëtarëve dhe automjeteve.
Sipas shifrave që vijnë nga kapitenaria e portit bëhet e ditur se pasagjerë në hyrje në këto pesë ditë janë regjistruar 12.945, ndërsa automjete 3.774. Në dalje, fluksi i lëvizjeve ka qenë më i lartë, me 25.033 veta të regjistruar në ikje dhe 7.664 automjete. Ndryshimi i një jave më parë me javën që sapo u mbyll është se tashmë fluksi i lëvizjeve është përqendruar në dalje.
Periudha e pushimeve verore ka përfunduar për shumë nga emigrantët dhe shqiptarët e diasporës, kështu që pjesa më e madhe e tyre ka nisur rikthimin në vendet ku ata jetojnë e punojnë.
/RTSH/