E Hënë, 2 Nëntor 2026

Folie Village frymëzohet nga Vuno, Gonxhja: Arkitektura duhet të udhëhiqet nga natyra

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka theksuar se frymëzimi për zhvillime të reja arkitekturore gjendet në vendet që kanë ruajtur harmoninë me natyrën ndër vite.

Duke u ndalur në Vuno, ai vuri në dukje se çdo element i fshatit mbart një arsye dhe një histori: gurët e skalitur nga koha, rrugicat e ngushta, muret që ruajnë gjurmët e brezave, si dhe fasadat e bardha të ndërthurura me lule që shpërthejnë në hapësirë, krijojnë një identitet të veçantë ku arkitektura shndërrohet natyrshëm në pjesë të peizazhit.

“Në Vuno, çdo detaj ka një arsye. Gurët e skalitur nga koha, rrugicat e ngushta, muret që mbajnë gjurmët e brezave, lulet që shpërthejnë mbi fasadat e bardha dhe mënyra se si çdo shtëpi bëhet pjesë e peizazhit, pa u përpjekur ta ndryshojë atë. Bukuria e këtij fshati nuk vjen nga madhështia, por nga autenticiteti i tij”, tha Gonxhja teksa ndau në rrjete sociale momente nga fshati i bukur piktoresk i Vuno, në jug të vendit.

Sipas tij, bukuria e Vunos nuk qëndron te madhështia, por te autenticiteti dhe vazhdimësia historike që e bën atë të pandashëm nga natyra përreth.

Ai thekon se, “kjo ishte edhe pika e nisjes për projektin Folie Village, jo për të rikrijuar Vunon, por për të ndjekur të njëjtën filozofi: ndërtim me respekt për vendin, ku natyra udhëheq arkitekturën dhe jo e kundërta”.

“Është një interpretim bashkëkohor i shpirtit të Rivierës Shqiptare, ku çdo hapësirë synon të ndihet si vazhdim i peizazhit përreth. Disa vende nuk të frymëzojnë vetëm të ndërtosh — të mësojnë si ta bësh këtë,” u shpreh Gonxhja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›