“Foltorja 2” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Bylykbashi: Si u avulluan 12.5 mln euro te Eko Parku, një javë pas tërmetit

Protesta e opozitës para Kryeministrisë ka nisur me akuza për korrupsion galopant ndaj qeverisë. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ishte i pari që mori fjalën në atë që u cilësua si “Foltorja 2” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shigjetuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kryeministrin Edi Rama.
Në qendër të denoncimit të tij ishte projekti i Eko Parkut në Porto Romano, një aferë që sipas Bylykbashit kap vlerën e 19 milionë eurove dhe mban firmën e Ballukut.
Bylykbashi solli në vëmendje një detaj, lidhur me kohën kur është firmosur ky tender. Sipas tij, kontrata është lidhur vetëm një javë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, në një kohë kur vëmendja e gjithë vendit ishte te rrënojat dhe viktimat.
“Kanë patur mendjen e kthjellët që të anulonin tenderin 1 javë pas tërmetit… me tender të drejtpërdrejt ia kanë dhënë kompanisë klienteliste të Ramës,” u shpreh ai.
Akuzat për vjedhjen e 12.5 milionë eurove
Bylykbashi zbërtheu skemën e pretenduar të abuzimit, duke deklaruar se nga 19 milionë euro të akorduara, vetëm një pjesë e vogël ka shkuar për punime reale.
“Ekoparku 19 mln euro, guximi për të grabitur shqiptarët është i tmerrshëm. Vetëm 6 milionë e gjysmë janë përdorur, ja kanë dhënë kompanisë së Klodian Zotos. Po 12.5 milionë euro ja kanë vjedhur shqiptarëve drejtpërdrejt,” akuzoi Bylykbashi.
Ai shtoi se kjo qeveri tashmë “e ka hequr kapuçin” dhe po vjedh hapur.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Bylykbashi theksoi se ditët e qeverisjes Rama janë të numëruara, duke e cilësuar situatën aktuale si një tronditje të themeleve të shtetit.
“Tumori i korrupsionit të Edi Ramës nuk ka nevojë për skaner,” tha ai, duke shtuar se ajo që po ndodh sot është gjeneza e një sistemi që e ka kthyer shtetin në kapital personal.
“Kjo klikë po tregon në sytë e gjithë botës me prova sesi po grabit shqiptarët jo me miliona, por me qindra miliona,” përfundoi Bylykbashi, duke bërë thirrje për rezistencë ndaj asaj që ai e quajti kulturë pandëshkueshmërie.
/rtsh.al/